Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ka filluar zbatimin e Projektit për Rindërtimin e Kadastrit në disa zona të Komunës së Pejës.

Zonat që përfshihen në këtë fazë të projektit janë: Brestovik, Radavc, Baran, Gllogjan, Trstenik dhe Bogë. Qëllimi i projektit është harmonizimi i gjendjes faktike në terren me të dhënat ekzistuese në Kadastër, me qëllim të rritjes së sigurisë juridike të pronës dhe përmirësimit të qasjes në shërbimet kadastrale.


Sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës, përfitimet kryesore për qytetarët përfshijnë:

Zyrtarizimin e të drejtave pronësore jo-kontestuese, sidomos për rastet e trashëgimisë;

Rregullimin e shitblerjeve të kryera përmes marrëveshjeve gojore ose të paformalizuara;

Realizimin e matjeve gjeodezike dhe përgatitjen e dokumentacionit për procesin e legalizimit.

Faza e parë e projektit përfshin takime informuese me banorët e zonave përkatëse, ku do të prezantohen: plani i rindërtimit, dinamikat e realizimit, rolet e institucioneve përfshirë Agjencinë Kadastrale, Zyrën Kadastrale Komunale, Komunën, si dhe Operatorin Ekonomik përgjegjës për zbatimin teknik të projektit.