Filloi ndërtimi i ujësjellësit për Orllanin dhe fshatrat përreth

Sot ka filluar realizmi i projektit të ndërtimit të rrjetit për furnizim me ujë të pijshëm të fshatit Orllan dhe fshatrave përreth.
Sipas njoftimit për media në ceremoninë organizuar me rastin e fillimit të punimeve në ndërtimin e ujësjellësit, ishin të pranishëm Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, Ilir Abdullahu - kryeshef ekzekutiv i Ujësjellësit “Prishtina” dhe Besnik Tahiri – koordinator në Qeverinë e Kosovës.
Në njoftim thuhet se ky projekt financohet nga Komuna e Podujevës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se ndjehet shumë i lumtur që sot po fillon realizmi i një projekti jetik për banorët e Orllanit dhe fshatrave të tjera të asaj zone.
Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, tha se sot po e fitojnë edhe një betejë për ujin e pijes./Telegrafi/




















































