Fer Volley nga Ferizaj e ngre trofeun e Kupës së Federatës

Fer Volley nga Ferizaj ka triumfuar bindshëm në finalen e Kupës së Federatës, duke mposhtur Ferizajn me rezultat 3-0 në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Sporteve “1 Tetori”.
Setet përfunduan 25-22, 25-14 dhe 25-18, duke reflektuar dominimin e skuadrës kampione gjatë gjithë takimit. Trofeu iu dorëzua fituesve nga kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, në një atmosferë festive.
Performanca më e spikatur individuale erdhi nga ukrainasja Daryna Onischenko, e cila u shpall MVP e finales për lojën e sigurt dhe ndikimin e madh në lojën e Fer Volley-t. Çmimi iu dorëzua nga sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi.
Pas përfundimit të takimit, skuadra kampione mori medaljet e arta të ndara nga përfaqësues të sportit dhe biznesit, përfshirë Faton Paçaradën nga Vlera Sport, Bekim Krasniqin nga Arrbi, nënkryetarin e FVK-së Valon Xhafaj dhe Emine Ramdani Rekën. Ndërkohë, medaljet e argjendta për ekipin nënkampion Ferizaj u dorëzuan nga Valon Xhafaj, anëtarët e Bordit të FVK-së, Gezim Brahimi e Antigone Veseli, si edhe zyrtarja e federatës, Diellze Bytyqi.
Me një paraqitje të qartë superiore, Fer Volley e mbylli finalen pa dilema dhe e riktheu trofeun në Ferizaj, duke dëshmuar edhe një herë forcën e ekipit në këtë edicion të garave./Telegrafi


















































