Një fëmijë duket se ka qenë me fat për dallim nga shumë të tjerë të cilët e pësuan – disa me fatalitet, disa të tjerë me lëndime – kur një SUV i kuq “u përplas” në një turmë njerëzish në Wisconsin, SHBA.

Siç edhe mund të shihet në pamjet e publikuara nga mediat e huaja, fëmija ishte duke “vallëzuar”, përderisa SUV vjen me shpejtësi në drejtim të tij, por për fat të mirë nuk e godet atë.


Ndryshe, të paktën pesë persona kanë gjetur vdekjen dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar pasi një SUV i kuq Ford kaloi me shpejtësi dhe u fut përmes njerëzve në një paradë Krishtlindjesh në Wisconsin.

Një person ndodhet në paraburgim dhe incidenti – së paku deri më tani - nuk duket të jetë një akt terrorist në këtë moment, thanë zyrtarët.

Kaylee Staral, e cila ishte dëshmitare e incidentit, përshkroi se si ishte gjendja gjatë incidentit.

"Ndoshta rreth 20 deri në 30 minuta pas paradës, një SUV i kuq erdhi me shpejtësi në mes të rrugës - pati shumë britma”, ka thënë fillimisht ajo, përcjell Telegrafi.

Staral vazhdoi duke thënë se "kishte shumë njerëz në tokë".

Ndërkohë mediat raportojnë se Shtëpia e Bardhë po monitoron situatën në Waukesha, Wisconsin, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, përcjell Telegrafi.

Ndërsa FBI tha se është në dijeni të incidentit në Waukesha, Wisconsin, paradën e Krishtlindjes, ku një SUV kaloi nëpër një turmë të dielën mbrëma. /Telegrafi/