LAJMI I FUNDIT:

Evropa Lindore vazhdon në krizë, BE del nga recesioni

Evropa Lindore vazhdon në krizë, BE del nga recesioni

Vendet e bashkimit Evropian thuajse kanë dalë nga recesioni, por kjo gjë duket e largët për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

"Përsa i përket rritjes ekonomike, Evropa Lindore do të vazhdojë të mbetet pas pjesës tjetër të botës”, theksoi shefi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Erik Berglof, në një intervistë për të përditshmen austriake ”Der Standard”.

Recesioni më i rëndë që ka njohur Evropa që prej Luftës së Dytë Botërore ka marrë fund me një rritje gjatë tremujorit të tretë prej 0,4 për qind në 16 vende të zonës euro, pas pesë tremujorësh radhazi të rënies së aktivitetit.

Unioni i 27 vendeve anëtare të BE-së ka arritur të dalë nga recesioni, me një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 0,2 për qind.


Kontraste të mëdha ekzistojnë mes vendeve që janë bërë pjesë e Bashkimit Evropian që prej vitit 2004.

Ndërkohë që Polonia mbetet vendi i vetëm i BE-së që ka dalë nga recesioni, tre shtetet baltike, Hungaria dhe Bullgaria janë përballur me një rënie dramatike të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

"Vendet si Bullgaria dhe shtetet baltike, shumë të varura nga kapitalet e huaja, vuajnë më shumë. Ata janë pranë katastrofës ekonomike dhe frikësohen çdo ditë e më shumë për stabilitetin e monedhës së tyre”, deklaroi Witold Orlowski, ekspert i ”Pricewaterhouse Coopers”.

Nga ana tjetër, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia kanë bërë më pak gabime dhe mund ta shikojnë të ardhmen me më shumë qetësi”, theksoi ai.