Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i shoqëruar nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe zyrtarë të UEFA-s, vizituan Stadiumin e Prishtinës për të parë nga afër ecurinë e zhvillimeve të punimeve që po behën në këtë stadium.
Punët që po zhvillohen në stadiumin e Prishtinës janë në përputhje të plotë me standardet e parapërcaktuara nga UEFA dhe FIFA dhe ato do përfundojnë në fillim të muajit qershor.
Gashi deklaroi se ndodhet në stadium për të parë nga afër ecurinë e punimeve të zhvilluara deri më tani dhe për të rikonfirmuar fuqishëm përkushtimin e ti si ministër që në qershor të këtij viti stadiumi i Prishtinës të jetë në funksion të zhvillimit të aktiviteteve sportive, thuhet në njoftimin e MKRS.
“Ne që nga marrja e përgjegjësisë për ta drejtuar MKRS-në, kemi qenë të përkushtuar që përveç përmirësimit të infrastrukturës ligjore në sferën sportive të angazhohemi maksimalisht edhe në përmirësimin e infrastrukturës fizike nëpër të gjitha stadiumet sportive, me qëllim që ato të jenë në përputhje të plotë me kriteret dhe standardet e kërkuara nga autoritet ndërkombëtare sportive”, është shprehur ministri Gashi.
Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka thënë se ndihet jashtëzakonisht i lumtur që nga ana e ministrit Gashi ka gjetur përkrahjen e plotë jo vetëm në mbështetjen e federatës që udhëheq ai por edhe në zhvillimin e politikave progresive për përmirësimin dhe avancimin e të gjitha veprimtarive sportive në vendin tonë.
Stadiumi i Prishtinës pritet që të inaugurohet në fillim të muajit qershor, me ç’rast do të zhvillohet një ndeshje e testuese e terrenit sportiv me një ndeshje miqësore.