LAJMI I FUNDIT:

Escobar dhe Lajçak këtë javë në Kosovë dhe Serbi

Escobar dhe Lajçak këtë javë në Kosovë dhe Serbi

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, pritet që më 20 janar të vizitojë Kosovën, e më pas edhe Serbinë, për të përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel. Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se i dërguari i Bashkimit Evropian do të jetë i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Dy të dërguarit kohëve të fundit kanë vepruar bashkërisht me qëllim që të rrisin gjasat për sukses në dialog. Në Bruksel, disa herë kanë thënë se angazhimi i përbashkët BE-SHBA është treguar i dobishëm për të bindur palët që të ulin tensionet.

Escobar dhe Lajçak më 9 janar janë takuar me ambasadorët e shteteve të NATO-s me të cilët kanë biseduar për situatën në Kosovë dhe rajon dhe kanë paraqitur para tyre edhe planet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.


Burimet diplomatike në Bruksel kanë paralajmëruar se Kosovën dhe Serbinë së shpejti do ta vizitojë edhe i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, dhe ai i Gjermanisë, Jens Plotner, por aktualisht nuk është saktësuar nëse këta dy diplomatë do të shoqërojnë Escobarin dhe Lajçakun.

Megjithatë, sipas burimeve, tashmë është arritur një pajtim i gjerë për të mbështetur propozimin franko- gjerman për një marrëveshje bazë mes Kosovës dhe Serbisë. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se ky propozim është “propozim evropian” dhe ka mbështetjen e të gjitha shteteve të BE-së. Këtë plan e përkrah edhe SHBA-ja.

Sipas burimeve në Bruksel, gjatë takimeve që Escobar dhe Lajçak do të kenë në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.

Sa i përket një takimi të ri mes bartësve të dialogut, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, diplomatët në Bruksel nuk kanë përmendur ndonjë datë, por kanë thënë se “po punohet që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kjo varet nga vullneti i të dyja palëve dhe gatishmëria e tyre për të arritur rezultate konkrete”.

Synimi i bllokut evropian është që takimi Kurti-Vuçiq të ndodhë para fundit të muajit janar.

Herën e fundit që Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar rund bisedimesh ishte më 21 nëntor të vitit 2022.

Ndërkaq, temë e diskutimeve gjatë vizitës së Escobarit dhe Lajçakut pritet të jenë edhe tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë – që mbajtën të bllokuar për 20 ditë veriun e Kosovës në fundin e vitit 2022 – dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog.

Kosova është nën presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas SHBA-së dhe BE-së, është obligim i Prishtinës.

Gjatë një vizite në Prishtinë më 11 janar, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, kryeministri Kurti ka shprehur qëndrimin e se është kundër një asociacioni njëetnik. Megjithatë, së fundmi ai nuk ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni të diskutohet në kuadër të një marrëveshjeje finale për normalizimin e raporteve.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Prishtina kërkon që një marrëveshje finale me Serbinë të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL