LAJMI I FUNDIT:

Emrat e rinj të rrugëve të Shkupit, në mesin e tyre edhe persona të gjallë

Emrat e rinj të rrugëve të Shkupit, në mesin e tyre edhe persona të gjallë

Propozimet e emrave të rinj të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore në Shkup pritet të marrin dritën jeshile në seancën e këshillit të qytetit, që mbahet të martën. Pas reagimeve të shumta në opinion për emrat e përzgjedhur, nga komisioni për emërtime thanë se lista e emrave është propozuar nga qytetarët, organizata dhe shoqata të ndryshme.

Përzgjedhja e emrave nuk ka kërkuar kritere të posaçme, përveç faktit që personat të mos jenë të gjallë. Pavarësisht këtij kriteri, disa nga emrat në këtë listë jetojnë.

“Nga propozimet janë hequr emrat dhe termat që janë tashmë në Regjistër dhe ato terma që mund të shkaktojnë polemikë dhe ndarje. Përfshirja e njerëzve të gjallë nuk është e zakonshme, të propozuarit janë kontaktuar dhe kanë pranuar”, deklaroi Bojan Ivanoviq, kryetar i Komisionit për emërtimin e rrugëve.


Ndër emrat e propozuar janë: Abdyl Frashëri, Azem Marana, Arbëria, 28 Nëntori, Azem Hajdari. Mirëpo, gjenden edhe emrat e figurave të reja si biznesmeni tashmë i ndjerë Enver Maliqi, gazetari Sefer Musliu dhe karateisti Enver Idrizi, që është figurë e gjallë.

Profesori Vebi Bexheti për Alsat, tha se emrat e personaliteteve duhet të jenë të gjithanshëm dhe t’i përballojnë të gjitha sfidat e kohës dhe ngjarjeve që sjell koha.