Emily Ratajkowski kritikon misionin 11-minutësh hapësinor të Blue Origin, ku udhëtuan Katy Perry dhe pesë gra të tjera

Modelja 33-vjeçare, Emily Ratajkowski, iu është bashkuar kritikave të shumta të misionit 11-minutësh hapësinor të Blue Origin.
Në një video të publikuar në platformën TikTok, ajo u shpreh se ishte "e neveritur" nga udhëtimi 11-minutësh, i cilësuar si historik, në të cilin morën pjesë emra të njohur si këngëtarja Katy Perry, Lauren Sanchez, gazetarja Gayle King, aktivistja për të drejtat civile Amanda Nguyen, ish-shkencëtarja raketore Aisha Bowe dhe regjisorja Kerianne Flynn.
“Ky mision hapësinor sot në mëngjes? Kjo është shenjë e kohëve të fundit. Është diçka që i kalon kufijtë e satirës”, u shpreh Ratajkowski.
“Ju pretendoni se kujdeseni për Tokën dhe se misioni ka lidhje me ‘Nënën Tokë’, ndërkohë që udhëtoni me një anije hapësinore të ndërtuar dhe financuar nga një kompani që kontribuon ndjeshëm në shkatërrimin e planetit?”.
Kompania Blue Origin është në pronësi të miliarderit dhe themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, 61 vjeç, i cili është i fejuar me Lauren Sanchez, 55 vjeç.
Ratajkowski vazhdoi me një pyetje rreth qëllimit të këtij udhëtimi të shkurtër në hapësirë: “Shikoni gjendjen në të cilën ndodhet bota dhe mendoni për të gjitha burimet që janë shpenzuar për të dërguar këto gra në hapësirë. Për çfarë? Cili ishte mesazhi apo qëllimi i këtij marketingu?”. /Telegrafi/






















































