LAJMI I FUNDIT:

Edhe të huajt mund të jenë racistë

Edhe të huajt mund të jenë racistë

Krsto Lazarevic/DW

Pasi të lexoni këtë titull, ndoshta do të shqetësoheni. Por unë, Krsto Lazarevic, më duhet t’iu zhgënjej sërish – shumica e të huajve janë në rregull.


…e megjithatë përjashtimet vërtetojnë rregullin. Për shembull jo shumë larg apartamentit tim ka një polak të pastrehë që dehet rregullisht në një stacion metroje. Njohuritë e mia të polonishtes mbarojnë me sharje e ndonjë thënie dollie, gjë që nuk mjafton për ta kuptuar këtë njeri. Por, kur po kaloja një ditë pata tij, dëgjova se si ai shau një grua me shami koke. Ajo ndaloi pak, e pa, tundi kokën, dhe vazhdoi e sigurt rrugën e saj. E di, nuk është mirë të flasësh keq për të pastrehët, pro që nga ajo ditë, nuk kam shumë simpati për të.

Mund madje edhe të përfytyroj, se ky i pastrehë bashkë me 60 mijë ekstremistë të tjerë të djathtë këlthet në ditën e pavarësisë në Varshavë. “E gjithë Polonia këndon me ne, refugjatë zhdukuni”, apo “një Evropë e bardhë e kombeve vëllezër”. E në një kohë që ai demonstron kundër myslimanëve e refugjatëve, që gati nuk i sheh gjëkundi në Poloni, demonstruesit ekstremistë të djathtë e shohin atë gjithë përçmim, sepse është i pastrehë. Nuk bëhesh patjetër njeri më i mirë, sepse prekesh nga diskriminimi.

Nacionalizmi, antisemitizmi, racizmi – janë ideologji mjaft të përhapura. Tek milionerët e tek të pastrehët, të vendasit e migrantët. Racisti me kostum e diplomë universiteti, thjesht ka mësuar të shprehë urrejtjen e tij në mënyrë më elokuente se një i pastrehë. Bindja e përhapur, se të varfrit dhe të pashkolluarit preken më shpejt nga kjo ideologji nuk vërtetohet në mënyrë empirike. Por naiv është edhe mendimi i përhapur mes të majtëve, se migrantët e pakicat janë bashkëluftëtarë të natyrshëm të shoqërisë së hapur.

Disa turko-gjermanë ngrenë zërin kundër rritjes së populizmit të djathtë në Gjermani dhe zemërohen me dështimin e shtetit ligjor në zbardhjen e vrasjeve të NSU-së, por nuk nxjerrin një fjalë për Erdoganin dhe janë gjithë lëvdata për gjendjen e Turqisë. Disa rumunë e bullgarë zemërohen me të drejtë, që punojnë me rroga shumë të ula, por pastaj janë gjithë zemërim ndaj romëve që kanë ardhur nga vendet e tyre në gjermani. Disa rusë ankohen, se diskriminohen në Gjermani, por në të njëjtën fjali shprehen kundër punëtorëve aziatiko-qendrorë në vendin e tyre.

Kjo listë mund të vazhdonte, por qëllimi është të kuptohet se këta njerëz janë shumë të ngjashëm. Për ta nuk përbën problem, kur pjesëtarë të pakicave ofendohen, kërcënohen dhe përjashtohen – për sa kohë që ata vetë nuk bëjnë pjesë tek kjo pakicë. Të mos i vlerësosh njerëzit në bazë të prejardhjes, nuk do të thotë vetëm, që të mos demonizosh, por as të mos i idealizosh. Dallimi bëhet në secilin rast konkretisht. Kur një 18 vjeçar nga Siria vjen në Gjermani dhe nuk e ka mësuar ende, se çfarë ka qenë vërtet Hitleri, këtë mund t’ia shpjegosh. Por kur një 18 vjeçar gjerman, pas kaq vitesh mësim historie, ende nuk e ka kuptuar këtë, këtu puna bëhet e vështirë.

Por, më komplekse bëhet ajo, kur urrejtësit e të huajve, bëhen vetë të huaj dhe ndeshin me tipa të tjerë po urrejtës të të huajve. Mund ta them më konkretisht. Në një demonstratë të lëvizjes identitare djathtistë në Vjenë, dëgjoj gjuhën e prindërve të mi. Shumë serbë e kroatë ishin aty për të demonstruar kundër ndryshimit të popullsisë, islamizimit, apo kundër çdo gjëje që ata fantazonin.

Serbët nacionalistë e kroatë nuk e duan njëri-tjetrin, kjo dihet… por, ka një dallim. Nëse ndodhen në Vjenë dhe bëhen bashkë kundër myslimanëve dhe refugjatëve. Në këtë moment ata bashkohen për të shprehur urrejtjen kundër të tjerëve. Ka qenë pikërisht këta njerëz nga ish-Jugosllavia që erdhën në vitet 70-të si punëtorë të ftuar në Austri. E nacionalistët austriakë nuk i donin ata atëherë. Por qëkur po vijnë më shumë sirianë në Austri, të ardhurit nga Ballkani papritur bëhen të pranueshëm. Sigurisht kjo vlen „për të bardhët” nga Ballkani, jo për romët.

Serbë, kroatë e polakë apo njerëz nga Europa Lindore e Qendrore marshojnë në Gjermani e Austri bashkë me ata që jo shumë kohë më parë donin t’i përzinin nga vendi. Që nga lufta në Siri, refugjatët nga Ballkani, janë vlerësuar disi më lart, dhe tani janë të mirëmjaftueshëm për të qenë pjesë e demonstratave kundër të huajve. Nëse ky është integrimi, atëherë bravo, ia paskemi dalë mbanë… Nacionalistët evropianë janë të lidhur mirë me rrjetet e tyre në vende të ndryshme. Armiqtë e përbashkët janë refugjatët dhe myslimanët. Pavarësisht nëse ata ndodhen në një vend të caktuar apo jo.

Në qendrën kulturore të qytetit ku kam lindur qëndronte njëherë në një pllakat kjo fjali: “„Të gjithë njerëzit janë të huaj, gati kudo”. Më pëlqen kjo fjali, por unë do ta ndryshoja kështu: “Edhe të huajt mund të jenë racistë, kudo.”

(Krsto Lazarevic ka lindur në Bosnje-Hercegovinë dhe erdhi si fëmijë me familjen në Gjermani. Sot ai jeton në Berlin dhe punon si gazetar e publicist. Shkruan për media të ndryshme gjermane).