Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka shënuar Ditën Botërore të Bletëve me aktiviteteve edukative dhe ndërgjegjësuese me nxënësit dhe fëmijët parashkollorë.

Në shkollën e mesme të ulët "Gani Saramati" në Prizren fillimisht  është vendosur një hotel për insekte dhe më pastaj është organizuar vizita me karakter edukativ për nxënësit e kësaj shkolle në një bletore.


“Gjatë kësaj vizite, nxënësit janë informuar për bletët dhe rolin e tyre në ruajtjen e ekosistemit”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Ndërkaq në kopshtin e fëmijëve "Cicërimat" në Prishtinë është mbajtur aktiviteti dedikuar parashkollorëve, ku përmes prezantimeve është theksuar rëndësia e bletëve për biodiversitetin dhe ekuilibrin mjedisor.

“Po ashtu, janë shpjeguar sfidat aktuale mjedisore dhe mënyrat e kujdesit ndaj natyrës. Aktiviteti është përmbyllur me vendosjen e një hoteli për insekte në oborrin e kopshtit, si një hap konkret drejt mbrojtjes së natyrës dhe promovimit të biodiversitetit”, thuhet në njoftim.

Të dyja aktivitetet, sipas EC-it, janë zhvilluar si rezultat i bashkëpunimit dhe ideve të përbashkëta gjatë takimeve me përfaqësuesit e institucioneve edukative arsimore.

“Përmes këtyre nismave, EC synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe biodiversitetit”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/