Policia në Karolinën e Jugut ka publikuar një video ku shihet se si Loren Elizabeth Katshow, 32-vjeç, e lut policinë që mos ta arrestojnë “pasi është shumë e pastër, e bardhë dhe e bukur”.
Policia në Blaftown ka arrestuar Lorenin pasi nuk kishte respektuar shenjën e komunikacionit “stop”, dhe se ka vozitur me 100 kilometra në orë nën ndikim të alkoolit, transmeton Telegrafi.
Në video shihet dhe dëgjohet qartë se si Loren ua bën me dije se nuk duhet ta arrestojnë.
“Ju lutem, nuk dua ta di si është burgu. Jam një vajzë e bukur. Mos më dërgoni atje”, dëgjohet duke i lutur Loren policinë dhe duke ua bërë me dije se kurrë nuk ka pasur problem me ligjin, pasi është tifoze, valltare, e bardhë dhe një vajzë e pastër që ka përfunduar universitetin.
Ajo ishte e bindur se arrestimi mund t’ia shkatërron karrierën, ndërsa polici Baker Oddom që e kishte arrestuar, në raportin e dorëzuar i kishte shënuar të gjitha, duke shtuar se e ka pyetur “se çfarë kanë lidhje këto gjëra”, kurse ajo ishte përgjigjur: “ju jeni polic dhe e dini mirë çfarë do të thotë, dhe kënd po e arrestoni”.
Ajo gjithashtu kishte pranuar se kishte pirë vetëm dy gota verë dhe se ngutej për të shkuar në kohë në takimin me të dashurin. Ndërkaq, e pyetur nga policët se sa shumë ishin mbushur ato dy gota me verë, ajo ka thënë: “E dini çfarë, e kam festuar ditëlindjen”.
Por, kur policët ia kontrolluan veturën e tipit Ford, gjetën edhe një sasi të vogël të marihuanës, ku më pas pranoi se “kishte tymosur” paksa para se të ulej prapa timonit. Ajo është dënuar për ngasje nën ndikim të alkoolit, tejkalim shpejtësie dhe posedim të lëndëve narkotike. /Telegrafi/