“E telefonova Allegrin”, Thiago Silva zbulon se mori këshilla nga trajneri italian se si mposhtet Interi

Kapiteni i Fluminense, Thiago Silva, ish-ylli i Milanit, zbulon se e ka telefonuar Massimiliano Allegrin para ndeshjes me Interin për të marrë ‘disa informacione’ rreth ‘Nerazzurrëve’. Fluminense mposhti Interin 2-0 në fazën 1/8 të Kupës së Botës për Klube të hënën. Gjatë një interviste pas ndeshjes për SportMediaset, Thiago Silva tregoi se kishte biseduar me ish-trajnerin e tij, Allegrin, para përballjes. “Jam shumë pasionant pas futbollit. Këtë javë i telefonova Allegrit, një mik i imi, dhe i kërkova disa informacione për Interin”, tha mbrojtësi brazilian.

“Ne nuk folëm për Milanin. I thashë se ndoshta do ta vizitoj në janar, bashkë me Ibran dhe këtë ekip të madh”.
“Jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit tonë. Nuk është e lehtë të luash ndaj Interit në këtë mënyrë. E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë”, vazhdoi Silva. “Mendoj se luajtëm mirë në aspektin defensiv. Me topin nuk arritëm të luanim siç jemi mësuar, dhe ishte e vështirë të thyhej presioni i tyre. Sidomos me këtë vapë, nuk ishte e lehtë të luaje”. “Jemi shumë të kënaqur me kualifikimin, por tani duhet të pushojmë sepse luajmë përsëri pas tre apo katër ditësh”, përfundoi ai./Telegrafi/




































