Nga aplikimi në lëkurë të thatë te renditja e gabuar me kremin, këto janë arsyet pse edhe serumi më i mirë mund të mos funksionojë fare

Serumi është bërë një hap i domosdoshëm në kujdesin e lëkurës, por e vërteta është se shumica e përdorin gabim. Blejmë formula të mbushura me përbërës aktivë, presim rezultate të shpejta, pastaj i aplikojmë si krem dhe pyesim pse nuk ka efekt.


Problemi nuk është te serumi. Problemi është te mënyra si e vendosim në fytyrë.

Sepse serumi nuk është një shtresë tjetër. Ai është trajtim. Dhe nëse nuk e përdorni si të tillë, po hidhni kot edhe produktin, edhe pritjet.

Nuk ka rëndësi vetëm çfarë vendosni, por si

Serumet janë preparate të përqendruara me molekula të vogla që mund të depërtojnë më thellë në lëkurë. Ndryshe nga kremrat që veprojnë në sipërfaqe, serumi shkon më thellë dhe për këtë arsye ka potencial të ndryshojë gjendjen e lëkurës, jo vetëm pamjen e saj.

Kjo do të thotë se mund të hidratojë, të qetësojë skuqjen, të barazojë tonin e lëkurës, madje edhe të zbusë shenjat e para të plakjes. Por vetëm nëse i jepni mundësinë të veprojë.

Nëse e aplikoni në lëkurë të thatë, të papërgatitur, ose e fërkoni në mënyrë agresive, efekti do të jetë minimal.

Serumi i duhur nuk është universal

Nuk ekziston një serum që është “për të gjithë”. Kjo është një tjetër keqkuptim i përhapur.

Lëkura e thatë ka nevojë për diçka që ruan lagështinë dhe forcon barrierën. Lëkura e yndyrshme ka nevojë për formulë të lehtë që nuk rëndon poret. Lëkura e ndjeshme ka nevojë për qetësi, jo për agresion. Ndërsa lëkura me pigmentime ka nevojë për përbërës që barazojnë tonin, por pa irritim.

E njëjta vlen edhe për anti-age. Jo çdo serum kundër rrudhave është i përshtatshëm për këdo. Lëkura duhet ta “pranojë”, përndryshe do të krijoni më shumë probleme sesa rezultate.

Ky është pjesa që shumica e anashkalojnë, por që bën diferencën më të madhe.

Serumi aplikohet në lëkurë të pastër, pak të lagësht, menjëherë pas pastrimit dhe tonikut. Para kremit. Gjithmonë para kremit.

Arsyeja është e thjeshtë. Serumi duhet të depërtojë në lëkurë. Kremi vendoset mbi të për të “mbyllur” lagështinë dhe përbërësit aktivë.

Nëse e vendosni pas kremit, praktikisht e keni bllokuar.

shutterstock

Si aplikohet në të vërtetë serumi

Harrojeni fërkimin si te kremi. Serumi nuk “shtyhet” në lëkurë.

Mjaftojnë disa pika. Nuk ju duhet gjysmë pipete.

Vendoseni në pëllëmbë dhe më pas aplikojeni lehtë në fytyrë me prekje të buta. Filloni nga qendra dhe përhapeni drejt jashtë. Pa fërkim, pa nxitim.

Lëkura duhet ta përthithë, jo të luftojë me të.

Nëse dëshironi, mund të shtoni një masazh të lehtë ose drenazh limfatik, por gjithçka duhet të jetë e butë. Çdo lëvizje agresive punon kundër jush, sidomos nëse keni lëkurë të ndjeshme ose reaktive.

Mos harroni qafën dhe dekoltenë. Aty shihet më shpejt çfarë bëni (ose nuk bëni).

Gabimet që ju prishin efektin

Gabimi më i shpeshtë është kombinimi i shumë përbërësve aktivë njëkohësisht. Më shumë nuk do të thotë më mirë. Shpesh do të thotë irritim.

Gabimi i dytë është koha e gabuar. Disa serume janë për mëngjes, disa për mbrëmje. Nëse e injoroni këtë, mund të ulni efektin ose edhe të krijoni problem.

Gabimi i tretë është ruajtja e produktit. Drita dhe nxehtësia i shpërbëjnë përbërësit aktivë. Nëse serumi qëndron në vend të gabuar, me kohë bëhet më pak efektiv.

Në fund, gjithçka varet nga vazhdimësia

Serumi nuk është mrekulli që vepron brenda natës. Ai punon në heshtje, por në mënyrë të vazhdueshme.

Nëse e përdorni siç duhet, lëkura me kohë do të duket më e njëtrajtshme, më e qetë dhe më e shëndetshme. Nëse e përdorni pa rregull, nuk do të shihni ndryshim.

Dhe këtu nuk ka mister.

Nuk ka rëndësi të keni serumin më të shtrenjtë. Rëndësi ka ta përdorni si duhet. /Telegrafi/