LAJMI I FUNDIT:

E mëndafshta, Rudinë!

E mëndafshta, Rudinë!

Rudina Magjistari ka disa vjet që më shumë dashuri, pasion, përgjegjësi dhe madhështi e udhëheq programin “Takimi i pasdites” në TV Klan, ku trajton shumë tema, e dilema, duke u familjarizuar jo vetëm me të ftuarit, por edhe me ndjekësit e tij besnikë. Një takim i pasdites, i ngjason ditës dhe dritës së shumë ngjarjeve me rëndësi për një shoqëri.

Bisedoi: Shaqir Foniqi

Rudina, nëpërmjet fjalëve të ëmbla, të kujdesshme, elegancës dhe shpirtit të bardhë, zbardh shumë çështje me dobi për audiencën e madhe. Ajo me pedanterinë e saj e bën për vete çdo njeri. Temat i trajton me shumë seriozitet dhe me shumë afsh, sikur të qëndiste me mëndafsh, një dhunti kjo që nuk haset tek çdo njeri. Rudina mbetet shembull për modesti, butësi dhe krenari.Kush është Rudina Magjistari, ku keni lindur, çka keni studiuar, ku keni punuar (më parë), etj.?
Vendlindja ime është Tirana. Kam lindur në një ditë të nxehtë fundgushtit. Si e vogël kam dashur të bëhesha herë mësuese, herë aktore e herë diplomate. Por, në fakt, pasi mbarova gjimnazin, zgjodha të studioja për ekonomi. Pas diplomimit, punova për pak kohë në këtë profesion, por televizioni, mesa dukej, tërhiqte më fort. Ah, se harrova të them, me televizion, fillova të merrem që në moshën 15-vjeçare, sapo kisha filluar vitin për të prezantuar programin festiv Natës së Vitit të Ri në TVSH dhe kështu filloi. Paralelisht me studimet e mia, jam marrë vazhdimisht me televizion, derisa erdhi një moment, kur duhej të zgjidhja, sepse të dyja ishin profesione shumë impenjative. E që të bëheshin mirë, zgjedhja qe e domosdoshme. Iu dedikova televizionit, duke kuptuar se është një nga dashuritë e mia të mëdha.Nuk ka dyshim se punën e moderimit e bëni më shumë dashuri dhe përkushtim. Kjo shihet qartë në çdo emision, të cilin e drejtoni me shumë pasion. Jeni e kënaqur me punën që e bëni dhe pse?
Të bësh punën që do, është një nga bekimet më të mëdha që mund të kesh. Aq më tepër që nëpërmjet këtij programi, apo të tjerëve të ngjashëm që kam bërë më parë, më jepet mundësia të jetoj një nga përvojat më lumturuese, atë të të ndjerit e dobishme. Të kesh mundësi t’u shërbesh njerëzve me informacionin e nevojshëm, t’u japësh atyre shpresë edhe kurajë, kur kanë nevojë, të mësosh bashkë me ta, të argëtohesh bashkë me ta, është vërtet përmbushëse.

Çka ju jep Televizioni dhe çka ju merr?
Televizioni më jep dashurinë e njerëzve. Takimet me njerëz të ndryshëm, bisedat interesante, historitë njerëzore, emocionet e shumta, më pasurojnë shpirtin përditë e më shumë. Çdo shou, që unë bëj, është adrenalinë, më zhyt aq shumë në atë që ndodh aty, sa s’mendoj më se ç’kishte para apo ç’do ketë pas.
Çka më merr? Jeta private, është ajo që pëson më shumë. Pak kohë për njerëzit e afërt, por që për fat, ata janë kaq të mirë sa të m’i lehtësojnë këto pengje që kam.I jeni përkushtuar tërësisht ekranit, madje duket se me ekranin jeni lidhur përjetësisht. Ekrani është një magji me vete, por na bëhet edhe më i magjishëm me Rudinën brenda?
Faleminderit për komplimentet, Shaqir, por është e vërtetë, tani për tani i jam dedikuar tërësisht televizionit. Formati i programit që bëj, s’të lë absolutisht kohë, të merresh me diçka tjetër.


Leni përshtypjen se punoni shumë (çdo ditë pune) nga një emision-premierë! Por ia dilni mbanë me shumë sukses dhe ndoshta pak lodhje artistike, siç kam dëshirë ta cilësoj unë?
Lodhje ka shumë, të jem e sinqertë, lodhje dhe stres pafund. Por në momentin që shou mbaron, e i merr menjëherë reagimet e para, ato urimet, mes fjalëve apo rreshtave të të cilave, i ndien që tema dhe mënyra e të trajtuarit të saj, ka prekur shpirtrat e publikut, atëherë kënaqësia që provon është e papërshkrueshme. Dhe lodhja zhduket si me magji e ti je gati të nisësh menjëherë me shoun tjetër. Ky program vërtet kërkon shumë energji, por nga ana tjetër edhe energjia me të cilën të furnizon, është e pashtershme.

Duke shikuar emisionet tuaja, tek ju vërehet një butësi (femre), një shpirt i çiltër e human, por edhe një uragan që pushton ekranin tonë?
Faleminderit edhe njëherë për komplimentet. Unë thjesht jam vetja ime. S’bëj asnjë përpjekje për t’u dukur ndryshe.

Televizioni i kërkon edhe detajet, prandaj ju me paraqitjen tuaj propagandoni edhe civilizim, edhe kulturë. Jeni një femër për t’u mburrur?
Besoj që imazhi është shumë i rëndësishëm në televizion, edhe pse, mua personalisht, më mbetet gjithmonë pak kohë për të. Por një departament enkas në TV Klan, mbulon çdo gjë, kështu që edhe paraqitja është gjithmonë e kuruar.Jeni e afërt me shikuesit dhe i respektoni të ftuarit, duke manifestuar ngrohtësi dhe gjakftohtësi. Jeni për t’u admiruar për qetësinë shpirtërore dhe për nivelin e komunikimit kulturor, intelektual dhe profesional. Çka është publiku për ju?
Publiku është mbështetja ime kryesore, është ai i cili më furnizon me energji dhe drejt të cilit drejtohen energjitë e mia. Gjithmonë e kam konsideruar veten si një pjesë e publikut, në programin tim. Unë jam një prej teleshikuesve, që duan të dëgjojnë tema interesante, të mësojnë gjëra të reja, të rrëfejnë nga jeta e tyre, të bëjnë pyetje, apo të dëshirojnë të argëtohen. Unë jam një prej tyre, thjesht kam një mikrofon në dorë.

Keni ndonjë peng tjetër në jetë, përveç punës në Televizion?
Punën që do të dëshiroja të bëja, kam fatin ta bëj. Kështu që të tjerat mbeten interesa që i kam ushqyer paralelisht dhe që do të vazhdoj t’i zhvilloj më tutje me kalimin e kohës.
Është shumë herët për të pasur pengje. Kam ende kohë përpara.

Meqë e përmendëm jetën, cila është jeta që bën Rudina pas kuintave, pra larg ekranit?
Shumë pak kohë më mbetet për jetën private, por sapo kam kohë të lirë, atë mundohem ta kaloj me familjen time, me miqtë e mi. Fundjavat zakonisht i kaloj me ta.

Keni një harmoni me vetveten, një pakt paqeje. A ka momente – tendenca që dikush t’jua prish këtë pakt, me ndonjë shkrim tendencioz, apo nuk u jepni rast?
Jo, në fakt nuk më ka ndodhur të shkruhen shkrime tendencioze, gazetarët janë treguar gjithmonë korrektë dhe në përgjithësi kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Për sa u përket rasteve, nuk preferoj të jem në faqe të gazetave për arsye të ndryshme nga puna ime, apo gjërave që dua të ndaj me publikun.Ju pëlqen Tirana, apo keni menduar ta braktisni ndonjëherë dhe, nëse po, cili do të ishte qyteti juaj i preferuar, për të jetuar (jetën)?
Jo, asnjëherë nuk kam menduar të lëviz nga Tirana apo Shqipëria, por për t’u shkëputur mjaftueshmërisht gjatë, do preferoja Barcelonën, të cilën e njoh dhe më pëlqen shumë, apo Amsterdamin, të cilin jam kurioze ta jetoj.

Ju pëlqejnë udhëtimet, keni hobi (cilin?), fobi, idol?
Më pëlqejnë udhëtimet shumë, por programi i përditshëm nuk më lejon të lëviz shpesh. Për sa u përket interesave të tjerë, kam shumë pasion notin, kam frikë nga insektet dhe për fat të keq a të mirë, nuk di, nuk kam një idhull.

Jeni e pasionuar edhe pas veshjes, sado që, kam bindjen, çfarëdo që vishni ju, do të dukej bukur?
Më pëlqen të vishem në stilin sportiv, të dukem bukur, por mbi të gjitha të ndihem mirë. Por nuk shqetësohem shumë edhe nëse dal e veshur fare thjesht, nëse atë ditë, s’ia kam shumë ngenë të merrem me veshjen.

Këtë intervistë po e përfundojmë me falënderimin e madh dhe me pyetjen, kur do të vini në Prishtinë?
Kam qenë disa herë në Prishtinë, një qytet plot gjallëri, ku kam kaluar gjithmonë shkëlqyer. Kam atje miq të mirë e kujtime të bukura. Por me siguri, herën tjetër do të takohemi atje. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina

"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova

Magazina
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Evropa
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor

Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor

Lajme
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike

Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike

Lajme
Kalo në kategori