LAJMI I FUNDIT:

E madhërishmja artistike dhe dhimbja njerëzore

E madhërishmja artistike dhe dhimbja njerëzore

Albumi “The Rising” i Bruce Springsteenit, me siguri është reagimi më i ndershëm dhe më domethënës artistik ndaj 11 shtatorit. Ndërsa, ky këtë e arrin pa përmendur as një të vetmen herë 11 shtatorin, aeroplanët, Kullat Binjake, Nju-Jorkun, Uashingtonin, Amerikën, flamurin amerikan, shtetin, historinë… Telegrafi risjell shkrimin e publikuar në vitin 2002 në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”.

Nga: Blerim Shala

Me 9 dhjetor, 1980, Bruce Springsteen dhe E Street Band, ishin të thyer plotësisht.


Një ditë më parë, në Nju-Jork, në hyrjen e hotelit ku banonte, nga një psikopat, ishte vrarë John Lennon, prijësi i “The Beatles”.

Lennon i kishte 40 vjet kur e vranë dhe 30-të, kur “The Beatles” u shpërndanë.

DUKEJ QË BOTA PO FUNDOSEJ

Springsteen duhej të mbante koncert një natë pas vrasjes së Lennonit. Steve Van Zandt, kitaristi i “E Street Band” dhe miku i vjetër i tij, nuk mëdyshej fare: Koncerti nuk duhej të mbahej. Të gjithë ishin të pikëlluar. Nuk kishte kurrfarë kuptimi të bëhej muzikë atë natë.

Springsteen mendonte ndryshe, që këtë koncert ia kanë borxh Lennonit dhe kujtimit të tij. Në prezantimin e këngës së tij emblematike, “Born to Run”, Springsteen tha: “Po të mos ishte John Lennoni, shumë prej nesh do të ishim diku tjetër sonte. Bota nganjëherë kërkon prej jush të përballosh gjëra të papërballueshme dhe sonte është shumë vështirë për mua të këndoj këtu. Por, çfarë mund të bëjmë tjetër?”

21 vjet më vonë, pas tmerrit të 11 shtatorit, kjo përgjigje e Springsteenit do të motërzohet nga shumë artistë amerikanë. Natyrisht, në vend të Lennonit, do të jenë viktimat, zjarrëfikësit, mjekët, punëtorët, qytetarët e thjeshtë të Amerikës ata ndaj të të cilëve do të shprehet respekti.

Me 11 shtator, Bruce Springsteen, si miliona të tjerë në Amerikë dhe në botë, do të jetë peng i televizorit. Në shtëpinë e tij në Rumston, në Nju-Xhersi, me gruan e tij Patti Scialfa, këngëtaren përcjellëse të “E-Street Band”, dhe tre fëmijët, Springsteen do të përballet me pamjet që ndryshuan një qytet (Nju-Jorkun), një shtet (SHBA-në) dhe krejt botën. Pasi që Kullat Binjake u bënë shkrumb e hi, Springsteen me familje do të shkojë në kishë. Pafuqia nuk tejkalohet me lutje, këtë e dinte mirë Springsteen. Por ky e dinte që atij dhe secilit amerikan atë ditë i duhej ndihma e lutjes për të vazhduar tutje, për t’u ringritur dhe mëkëmbur pa u mbajtur mbi urrejtjen.

Springsteen do ta pyesë veten shumë ato ditë: Çfarë menduan zjarrfikësit teksa ngjiteshin shkallëve të WTC (World Trade Center), për të ndihmuar viktimat? A e dinin sa është i rrezikshëm misioni i tyre? A mendonin për të afërmit, për të dashurit? Si do të duket Nju-Jorku tashti kur nuk i ka më Kullat Binjake, të cilat ky i shihte prej shtëpisë së tij? Çfarë do të jemi ne si amerikanë tash e tutje? A do të jemi në gjendje të përballim sprovën e re? A do të bëhemi më të mirë apo më të lig]?

Springsteen e dinte që bota reale është shumë më dramatike se ajo që paraqitet në televizor. E ajo, e televizorit, dukej thuajse po fundosej.

Springsteen nuk është njeri që dorëzohet. Kur e pyetën shumë vite më parë se cila është fjala e cila sipas tij përmbledh rokun e tij, ai tha, thjeshtë: “S’ka dorëzim”.

THIRRJA E PIKËLLIMIT

Pyetjet e shumta që e mbërthenin atë, tok me kujtesën e 11 shtatorit, e cila atij i dilte për çdo mëngjes me qiellin e zbrazët matanë, aty ku qëndronin Kullat Binjake, do të bëhen burim i albumit të tij më të ri, “The Rising”, i cili u editua në fund të këtij korriku.

Springsteen e dinte mirë që nuk mund të bëjë album për vetë ngjarjen. Që nuk mund të japë shpjegime pse ndodhi 11 shtatori dhe çfarë duhet bërë tash e tutje. Ky u mundua t’i zërë ndjenjat që shpërthyen në të gjitha trajtat dhe drejtimet e mundshme, t’i sublimojë ato dhe t’i vargëzojë. Springsteen nuk është gjykatës, por artist.

Springsteen ka biseduar edhe me familjet e viktimave të tragjedisë së 11 shtatorit, për të kuptuar ndjenjat e atyre që ishin të goditur drejtpërdrejtë. I duheshin ato rrëfime për të gatitur këngët sa më mirë dhe për t’i veshur ato me sinqeritetin e dëlirë. Në anën tjetër, duket që Springsteen edhe personalisht u ndie i thirrur për të bërë këtë album sepse në shumë varrime familjet përdorën tingujt e këngëve të mëdha të Sprinsgteenit, si “Born in the U.S.A.” dhe “Thunder Road”. Pastaj rrethi Monmouth, ku kishte lindur Springsteen, kishte 158 viktima në këtë tragjedi.

Albumi “The Rising” i Bruce Springsteenit, me siguri është reagimi më i ndershëm dhe më domethënës artistik ndaj 11 shtatorit. Ndërsa ky këtë e arrin, pa përmenduar as një të vetmen herë 11 shtatorin, aeroplanët, Kullat Binjake, Nju-Jorkun, Uashingtonin, Amerikën, flamurin amerikan, shtetin, historinë… Në albumin “The Rising” askund nuk ka urrejtje, thirrje për hakmarrje, rrëfime për luftë të qytetërimeve, nuk ka patriotizëm patriotik, reklamë të lirë, deklarata për shtyp.

I tërë albumi është një lloj “deklarate për shpirt”.

Për këtë shkak, magazina e njohur e rok-muzikës, “Rolling Stone”, në ballinën e saj dhe në tekstin kryesor, kthimin e Springsteenit në skenë (albumi paraprak “The Ghost of Tom Joad” u editua shtatë vjet më parë), e përcolli me titullin qind për qind të saktë: “Ungjilli sipas Brucet”.

Këngët e Springsteenit gjithmonë kanë pasur plot rrëfime të njerëzve të thjeshtë, përditshmëria e të cilëve njeh telashe të lloj-llojshme. Kësaj here, në “The Rising”, Springsteen dëfton fatin dhe kobin e tyre në një ditë e cila tronditi botën. Por Springsteen nuk merret me “Botën e Madhe”, me luftën kundër të Keqes, përmasash planetare, e cila kërkon një përgjigje në trajtë të së Mirës dhe Drejtësisë gjithëbotërore. Springsteen i kthehet asaj bote të vogël, të njerëzve të rëndomtë që u gjetën në vorbullën pothuaj katastrofike të 11 shtatorit. Ai futet thellë, tej informatës, e cila sipërfaqëson shifra, fakte, statistika, po ku humbin emrat, familjet, tragjeditë personale. Në “Nothing Man” ai “vishet” me fatin e një të mbijetuari i cili nuk kishte besuar kurrë që emri i tij do të dalë në faqet e një gazete. Por jeta e tij ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë. Ai vetëm nuk e di se a është rrënuar përjetë dhe mot jeta e tij, se a duhet këtë ankth ta përfundojë me vetëvrasje apo duhet vazhduar tutje, përmes lutjes dhe dashurisë. Në “Into the Fire” dhe “The Rising”, Springsteen merr pozitën e zjarrfikësve të cilët vdesin duke provuar të shpëtojnë të ngujuarit e Kullave Binjake. Sakrifica e tyre del sublime dhe domethënëse po aq sa edhe pikëllimi dhe vazhdimi i jetesës së më të afërmve të tyre.

BASHKËJETESA ME PARADOKSIN

Në “Wolds Apart” Springsteen inkuadron tingujt e sufi muzikantëve, melodinë e qawwalit dhe i bashkëdyzon ato me rokun dhe vargjet e jashtëzakonshme e rrëqethëse, për të treguar që është një jetë dhe një botë dhe që njerëzit duhet të bashkëjetojnë para se vdekja të na ndajë. Në “You’re Missing” Springsteen flet me mendjen dhe emocionin e atyre që presin kot që i dashuri t’u kthehet në shtëpi, ku gjithçka është siç ka qenë dhe asgjë më nuk është siç ishte: Gjërat janë atypari, televizori, gazetat nën derë, kuzhina, rrobat, shtrati, por ai (ose ajo) nuk është më.

Duket që kryekënga e këtij albumi të shkëlqyeshëm, i cili mori vlerësimin më të lartë të mundshëm të rok-kritikëve dhe u shit në 526000 kopje vetëm javën e parë, është kënga “Paradise” (“Parajsa”). Në strofën e parë të kësaj kënge që përjetëson pasojat e 11 shtatorit, flet një vetëvrasës. Mëpastaj, shprehet gruaja që ka humbur burrin, më të dashurin, në sulmin në Pentagon. Përshkrimi i gjendjes emocionale së gruas këtu është i jashtëzakonshëm. Ajo kërkon burrin kudo, e di që ai më nuk do të kthehet, prandaj hamendet të bëjë vetëvrasje. Fundoset në ujë, i afrohet vdekjes, por, megjithatë, del në sipërfaqe ku e zë dielli. Ajo zgjedh jetën.

Pas albumit “The River”, i cili sforcoi pozicionin e tij si autori më i fuqishëm amerikan i të tetëdhjetave, Springsteen pat thënë që në këtë album ka pranuar faktin se jeta është paradoks, por që duhet të mësohemi të jetojmë me këtë paradoks.

Një Sprinngseen i tillë këndoi një natë pas vrasjes së John Lennonit. Springsteen dy vjet më parë komponoi këngën “American Skin” (41 Shots), dedikuar një imigranti nga Guinea-Bissau, i cili u vra gabimisht, në rrugët e Nju-Jorkut nga një polic. Bossi, si e quajnë të gjithë, këndoi për Amnesty International, kundër apartheidit, kundër dhunës. Ai që dëgjon “The Rising”, edhe një herë kupton pse Springsteen është aq i madh.

Rok-kritikët më të njohur amerikanë, pas “The River” dhe “Born in the U.S.A”, të cilët, tok me “The Rising”, përbëjnë tre albumat e shkëlqyeshëm të Bruce Springsteenit, u patën pajtuar me një konkludim: Po të mos paraqitej një Bruce Springsteen, do të duhej ta krijonin vetë një rok-autor të tillë.

Për fat, Springsteen është këndejpari në tridhjetë vjetët e fundit. /Telegrafi/