“E kemi vetë mbi supe” - diabetikët e tip 1 shënojnë ditën Botërore të Diabetit, kërkojnë futjen e pajisjeve në listën esenciale

Sot, në Ditën Botërore të Diabetit, organizata Tip1 OMEL, e themeluar nga Lisa Mehmeti, mbajti një event sensibilizues ku u bashkua komuniteti i personave me diabet tip 1, institucionet dhe mbështetësit e kauzës.
Lisa Mehmeti, e cila prej një viti ka nisur këtë iniciativë, tregoi se ndryshimet e arritura deri tani po e shtyjnë të punojë çdo ditë me më shumë vullnet.
“Historinë time me diabet tip 1 shumica e keni dëgjuar. Qëllimi i këtij eventi është të bashkohemi të gjithë… Organizata ka vetëm një vit dhe ndryshimi që kam parë gjatë këtij viti po më motivon të punoj çdo ditë,” tha ajo para të pranishmëve.

Ajo theksoi se jetesa me diabet mbetet sfidë e përditshme dhe kërkoi angazhim më të madh institucional:
“E dimë sa sfidë është të jetosh me këtë gjendje shëndetësore. Ne po e ngremë zërin në institucione si persona me diabet. Dua të falënderoj Komunën e Prishtinës dhe dr. Izet Sadikun që na siguruan një zyrë, e cila do të jetë hapësirë për të gjithë ne", tha Mehmeti.

Në hapësirën e re u prezantua edhe një instalacion simbolik, i përbërë nga lapsat, gjilpërat që përdorin personat me diabet tip 1.
“Ky instalacion përmban lapsat, gjilpërat, sensorët e të gjithë neve që jetojmë me diabet. Ne i blejmë vetë të gjitha këto gjëra. Qëllimi ynë është që ato të futen në listën esenciale", shtoi Mehmeti.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, dr. Izet Sadiku, vlerësoi angazhimin e organizatës dhe siguroi vazhdimësinë e mbështetjes institucionale.

“Është kënaqësi që pas vetëm një viti, Lisa dhe ky komunitet na kanë hapur sytë për t’i kushtuar rëndësi kësaj çështjeje. Kemi arritur të gjejmë një hapësirë për ta. Shteti duhet të punojë që ky komunitet të jetë i barabartë me të gjithë. Kjo nuk do të jetë përkrahja e fundit; komuna do të gjejë forma të tjera për t’i dalë në ndihmë këtij komuniteti,” deklaroi ai.
Në event foli edhe Blini, 7 vjeç, i cili ka bërë kërkesë që shteti t’i furnizojë fëmijët me sensorë që ua lehtëson mënyrën e të kontrolluarit të sheqerit.
Me fjalët e tij të drejtpërdrejta, ai preku të gjithë të pranishmit.

“Diabeti nuk është i vështirë. E ke diabetin, nuk është asgjë,” tha Blini i cili pavarësisht moshës së re tregoi një guxim.
Eventi u pëmbyll me shfaqjen e një filmi për diabetin, duke dhënë një mesazh të fortë për komunitetin dhe institucionet./Telegrafi/




































