Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.

Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që në Komunën e Malishevës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë identifikimin e personave përgjegjës, grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante, lidhur me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovës.


Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimit të sundimit të ligjit. /Telegrafi/