Site icon Telegrafi

Duhet t’i marrim seriozisht fjalët e Putinit, thotë ish-kancelarja gjermane Angela Merkel

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, paralajmëroi se marrja seriozisht e fjalëve të Vladimir Putin është “shenjë e mençurisë politike” dhe jo dobësi.

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, Merkel, e cila u largua nga detyra dy muaj para fillimit të luftës në Ukrainë, po fliste për një përgjigje që kishte dhënë në qershor për karakterin e Putinit.

“Unë thash se fjalët e tij duhet të merren seriozisht”, tha Merkel, teksa foli në inaugurimin e Fondacionit Helmut Kohl.

“Dhe sot, nisur nga zhvillimet e ditëve të fundit, dua të shtoj: marrja e fjalëve seriozisht, mospërfillja e tyre si një bllof, por trajtimi serioz me to nuk është aspak një shenjë dobësie, por një shenjë e mençurisë politike”.

Ajo shtoi se kjo mençuri do të ndihmonte për të “ruajtur hapësirën për manovra…”.

Komentet e saj vijnë pasi Putini së fundmi bëri një kërcënim se do të mund të përdorte arsenalin bërthamor të Rusisë.

Presidenti rus paralajmëroi Perëndimin se Moska “ka mjete të ndryshme shkatërrimi…më moderne se ato të vendeve të NATO-s”.

Kërcënimi i tij vjen pasi një kundërofensivë e suksesshme e Kievit ka shkaktuar një përshkallëzim në luftë.

Ndërkohë zonat e pushtuara nga Rusia në lindje dhe jug kanë mbajtur “referendume” për bashkimin me Rusinë, të cilat Perëndimi e ka cilësuar si false. Putin pritet të aneksojë katër rajone të premten. /Telegrafi/

Exit mobile version