Dugolli: Një qeveri e pakicës për disa muaj, pastaj zgjedhjet

Profesori Bujar Dugolli ka komentuar mundësitë për konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se zgjidhja më e mirë është sigurimi i pesë votave nga deputetë individualë për të garantuar funksionimin e institucioneve.
“Unë e shoh më të mirën që të gjenden edhe pesë vota nga deputetë individualë, që Kuvendi të konstituohet dhe të mund të kryejë funksionet emergjente. Nëse nuk arrihet marrëveshje mes koalicioneve, nuk mund t’i fusim me zor deputetët në koalicion. Por paktën të dalin pesë deputetë që punojnë vetëm për interesat e Kosovës,” ka deklaruar Dugolli në emisionin FIVE.
Ai ka shtuar se një qeveri e pakicës për disa muaj do të ishte e mjaftueshme për të menaxhuar çështjet emergjente, si miratimi i ligjit për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që lidhen me fondet e BE-së.
“Këto dyja janë interes nacional i shtetit. Ata deputetë që e marrin këtë obligim pavarësisht cilat parti, dalin mbi interesin e partisë. Unë mendoj se janë patriotë të vërtetë. Duhet të konsiderohen si shpëtimtarë të daljes nga kriza, qoftë për një qeveri të pakicës për disa muaj, e mandej vendi të shkojë në zgjedhje”, ka theksuar Dugolli.










































