Ish-shefi i diplomacisë serbe dhe themeluesi i Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe (SPO), Vuk Drashkoviq, ka thënë se Sllobodan Millosheviqi, qëllimisht nuk ka dashur që Serbia ta nënshkruajë Marrëveshjen e Rambujesë, sepse ai donte që me humbjen e Kosovës do të krijohej mundësia përnxitjen e djenjave antiperëndimore në vend dhe për një kthesë drejt Rusisë dhe Bjellorusisë, duke fajësuar Perëndimin dhe SHBA-në për Kosovën.
Drashkoviq, i ftuar në një emision televiziv pas botimit të autobiografisë së tij “Plagët e jetës”, kur është pyetur se kush është fajtor që Serbia e ka humbur Kosovën, ai ka thënë se “Kosova është fajtore për humbjen e Kosovës, fajtor për bombardimet e NATO-s është regjimi që fshehu fatkeqësinë e gjithë Jugosllavisë, e kam fjalën për regjimin e Sllobodan Millosheviqit”.
“Hyra në qeverinë e Millosheviqit, e pranova atë pozicion për të investuar gjithë reputacionin tim që kisha në botën perëndimore në mbrojtjen e Kosovës dhe parandalimin e bombardimeve. Dhe dëshmoj se ajo që na është premtuar në Rambuje ka qenë qëndrimi i garantuar i Kosovës si pjesë e Jugosllavisë, qëndrimi i forcave tona policore dhe ushtarake, i institucioneve shtetërore të Serbisë”, thotë Drashkoviq, transmeton Telegrafi.
Ish ministri i Jashtëm në qeverinë e atëhershme të Millosheviqit, siç transmeton “Danas”, thotë se “Serbia duhej të obligohej për t’i dhënë fund terrorit ndaj shqiptarëve dhe detyrimin që ata [Kosova] të fitojnë një status, më shumë se autonomi dhe diçka më pak se pavarësia. Millosheviqi refuzoi, ndoshta duke dashur ta humbiste Kosovën”.
“Ai ma tha këtë, për këtë unë shkruaj në libër. Kisha një bisedë dramatike kur po e bindja atë (Millosheviqin), fluturova nga Parisi për ta urdhëruar Milan Milutinoviqin, presidentin e atëhershëm të Serbisë, që ishte kreu i delegacionit tonë në Rambuje, të firmoste versionin e parë ruso-amerikano-evropian të marrëveshjes, të cilën na ofruan për nënshkrim me kërcënimin se nëse e refuzojmë – do të kemi një alternativë më të keqe. Ai [Millosheviei] e refuzoi dhe në një moment tha se Kosova është një gur në qafë dhe se humbja e Kosovës do të na jepte mundësinë për të nxitur ndjenjat anti-Perëndimore në vend, për të nxitur një kthesë drejt Rusisë dhe Bjellorusisë dhe të fajësojmë Perëndimin dhe SHBA-të për humbjen e Kosovës”, thotë Drashkoviq.
Ai thotë se Millosheviqi e parashikoi mirë, sepse kjo ndodhi.
“Ky është realiteti. Sot, 90 për qind e serbëve besojnë se SHBA-të na mori Kosovën, se Amerika na bombardoi: bombat dhe raketat ishin bomba dhe raketa të paktit të NATO-s, por mbushja e secilës prej atyre bombave dhe raketave ishte e Millosheviqit. E di që po rrezikoj me këtë që them tani, se po rrezikoj edhe me atë libër. UDB-ja, KGB-ja serbo-ruse, e pandryshuar që nga viti 1945, është epiqendra e së keqes në këto treva”, ka thënë Drashkoviq. /Telegrafi/