Ka nisur një nga fushatat më gjithëpërfshirëse në vend, me synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve terapeutike dhe sociale që janë jetike për personat me sindromën Down.

Fushata “Ndriço” u lansua më 21 mars, në Ditën Botërore të sindromës Down, përmes një dokumentari sensibilizues që sjell rrëfime reale mbi ndikimin e drejtpërdrejtë të shërbimeve terapeutike dhe sociale në jetën e përfituesve.


Kjo iniciativë synon të shkojë përtej ndërgjegjësimit, duke u shndërruar në një platformë aktive angazhimi për individë, institucione dhe biznese, me qëllim mbështetjen konkrete të një komuniteti që ka nevojë për vazhdimësi dhe përfshirje.

Përmes tregimeve reale dhe fakteve konkrete, fushata thekson rëndësinë e shërbimeve terapeutike dhe sociale që mundësojnë zhvillimin, pavarësinë dhe integrimin e personave me sindromën Down në shoqëri.

Vetëm gjatë një viti, në Shoqatën Down Syndrome Kosova ofrohen mijëra shërbime terapeutike dhe sociale pa pagesë, duke përfshirë terapi logopedike, fizioterapi, terapi zhvillimore dhe mbështetje për jetesë të pavarur.

Megjithatë, qëndrueshmëria e këtyre shërbimeve mbetet e rrezikuar për shkak të mungesës së financimit të qëndrueshëm, çka e bën këtë fushatë urgjente dhe të domosdoshme.

Fushata do të vazhdojë deri në muajin tetor, duke synuar ndërtimin e një angazhimi të qëndrueshëm shoqëror dhe përfshirjen e gjerë të publikut. Përmes mbështetjes kolektive, synohet që këto shërbime të mos ndërpriten, por të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për qindra familje në vend.

Mesazhi kryesor i fushatës është i qartë: mbështetja nuk është akt keqardhjeje, por përgjegjësi e përbashkët për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.

Për t’u bërë pjesë e fushatës kliko dhe kontribuo në: https://downsyndromekosova.org/dhuro-tani/