Një tjetër goditje e fortë vjen për qeverinë e një France të paralizuar prej 12 ditësh nga greva e transportit kundër reformës së pensioneve.

Si rrjedhojë e kësaj është dorëheqja e arkitektit të projektit të kërkuar nga Emmanuel Macron, Jean- Paul Delevoye, i ashtuquajturi "Pension Monsieur" apo "zotëria i pensioneve".


Njeriu i besuar i Macronit, i cili e kishte emëruar atë dy vjet më parë për të hartuar reformën e pensioneve, foli për “sulme të dhunshme” dhe “gënjeshtra” kundër tij por me qëllimin e vërtetë për të “goditur një projekt thelbësor për Francën".

Elysée e mori goditjen dhe menjëherë njoftoi se, “së shpejti” Delevoye do të zëvendësohet.

Krijuesi i reformës pranoi se kishte “harruar” të deklaronte pozicionin e tij si administrator në një kompani sigurimesh. Por në vazhdën e këtij zbulimi, ai përfundoi në qendër të vëmendjes dhe u detyrua të pranojë se kishte 13 “harresa”, megjithëse kryesisht jofitimprurëse.

Për më tepër, ai mbajti rolin qeveritar pavarësisht se ishte president i një qendre studimi për arsimin, një situatë e turpshme deri në atë pikë sa personi i interesuar u angazhua menjëherë për të kthyer atë që kishte marrë nga detyra të paautorizuara. /Telegrafi/