Sebastian Vettel me Ferrari ka siguruar sot “pole position” në pistën e Hungaroringut në përfundim të provave zyrtare, të vlefshme për garën e Çmimit të Madh të Hungarisë në Formula 1.

Një paraqitje e shkëlqyer e pilotit gjerman të “kokëkuqes”, që dha kohën 1’16”276, duke qenë më i shpejti në pistë. Në vendin e dytë u rendit një tjetër pilot i Ferrarit, Kimi Raikkonen, shumë pranë shokut të skuadrës, duke konfirmuar se makina italiane do të jetë pretendente për fitore nesër në garë.


Ferrari ka siguruar kështu vijën e parë të startit, duke lënë pas dy makinat Mercedes, në vendet 3-4 me Valtteri Bottas që la pas shokun e skuadrës Lewis Hamilton.

Ndryshe nga dy javë më parë, në Silverstone, këtë herë makina Ferrari ishte më superiore në xhiron e shpejtë, duke konfirmuar se Hungaroringu është një pistë që i përshtatet.

Zhgënjyen disi makinat Red Bull, që edhe pse dje ishin më të shpejtat, sot u renditet, ashtu si shpesh këtë sezon, më vendet 5-6 me Max Verstappen dhe Daniel Ricciardo.

Gjithsesi, gjashtë makinat e para janë brenda 6 të dhjetave, duke e lënë të hapur garën për nesër (starti ora 14:00). Në “top 10“ u renditën edhe Nico Hulkenberg (Renault), Fernando Alonso (McLaren), Stoffel Vandooorne (McLaren) dhe Carlos Sainz (Toro Rosso). /telesport/

telegrafi sport app