Dodik kërcënoi përsëri me shkëputje

Kryetari i SNSD-së, Milorad Dodik, komentoi vendimin e Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës që i është dërguar Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në të cilin sqarohen pasojat ligjore të aktgjykimit kundër tij për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnjë-Hercegovinë.
"Lakenjtë e KQZ-së janë detyruar të votojnë për të më ndaluar mua të jem kryetar i partisë", tha ai, duke komentuar faktin që gjykata ka deklaruar se ai nuk mund të jetë më kryetar i SNSD-së.
"Kjo tregon ambicien e tyre të sëmurë. Zgjidhja e vetme jo-absurde është pavarësia jonë. Unë jam i zgjedhur si kryetar, por nuk jam kryetar përmes vendimit të Gjykatës, i cili është antikushtetues. Nuk i nënshkruaj aktet për arsye praktike, që ato të mos shfrytëzohen nga njerëzit e gjykatës. Qëllimi ynë është të ruajmë marrëdhëniet me Rusinë, Serbinë, Hungarinë dhe të vendosim në nivelin më të mirë strategjik bashkëpunimin me Donald Trumpin", tha Dodik.
Në fund, ai shtoi se "nëse doni Bosnjën dhe Hercegovinën, kthehuni te Marrëveshja e Dejtonit. Nëse jo – do të ndahemi".
Kujtojmë se Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës ka dërguar një shkresë zyrtare Komisionit Qendror Zgjedhor, në të cilën theksohet obligimi për të zbatuar pasojat ligjore të vendimit gjyqësor ndaj Milorad Dodikut, përfshirë edhe, sipas interpretimit, ndalimin e tij për të ushtruar funksionin e kryetarit të partisë. /Telegrafi/












































