Në Gjykatën Themelore të Tetovës sot u shqiptuan aktgjykimet për të akuzuarit në rastin e djegies së spitalit modular në Tetovë, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Në aktgjykimin e sotëm ish-drejtorët e spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi u dënuan me 1 vjet e 6 muaj burg me kusht dhe me 1 milion denarë dënim me para.
Mjeku Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si subjekt juridik u liruan nga akuza
Ish-drejtorët e Spitalit klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, u akuzuan për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa mjeku Boban Vuçevski për “mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.
Djegia e spitalit modular në Tetovë ndodhi më 8 shtator 2021, në të cilën humbën jetën 14 persona.
Gjykimi ndaj të akuzuarve për rastin e djegies së spitalit modular në Tetovë filloi në dhjetor 2022./Telegrafi/