Site icon Telegrafi

Dita Botërore e Kafshëve: 100 mijë euro për ambulancën veterinare dhe 300 mijë për menaxhimin e qenve në Pejë

Sot, më 4 Tetor, në Ditën Botërore të Kafshëve, Peja përballet me numrin e lartë të qenve endacakë që gjenden në zona të ndryshme të qytetit.

Komuna ka nisur një sërë investimesh për përmirësimin e situatës, duke përfshirë ndërtimin e një ambulance veterinare dhe një tender për pastrimin e tyre.

Në lidhje me këtë çështje, Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Pejës, Tahir Shala, për Telegrafin ka njoftuar se komuna po bën përpjekje për t’i adresuar këto probleme përmes investimeve të rëndësishme.

Shala ka theksuar se aktualisht po ndërtohet një ambulancë veterinare me vlerë prej 100 mijë eurosh, një projekt që është në fazën përfundimtare.

“Këtë vit është duke u ndërtuar ambulanca veterinare, është në përfundim me vlerë rreth 100 mijë eurove”, ka thënë Shala për Telegrafin.

Përveç kësaj, Komuna e Pejës ka shpallur tender për një periudhë trevjeçare për pastrimin dhe menaxhimin e qenve endacakë, me një buxhet prej 300 mijë eurosh.

“Kemi shpallur tender për rreth tre vite në vlerë prej 300 mijë euro për pastrimin e qenve endacakë të cilët gjenden kudo në Pejë”, ka përfunduar Shala.

Me ndërtimin e ambulancës veterinare dhe implementimin e tenderit për menaxhimin e qenve, pritet që situata të përmirësohet, duke siguruar një mjedis më të sigurt si për qytetarët ashtu edhe për kafshët.

 

Exit mobile version