Njëqind e shtatë (107) oficerë doganorë diplomuan sot, më 12 gusht, në një ceremoni të organizuar nga Dogana e Kosovës, institucion ky që shënoi edhe 26 vjetorin e themelimit.

Në ceremoni morën pjesë zyrtarë të lartë institucionalë dhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët vlerësuan rolin e Doganës në forcimin e sigurisë kufitare dhe zhvillimin ekonomik të vendit.


Përgjatë ceremonisë, Kryeministri Albin Kurti përmendi disa nga të arriturat e Doganës siç është marrëveshja për hapësirat e përbashkëta doganore me Shqipërinë e cila ka ulur kostot për bizneset dhe rritur efikasitetin, si dhe rikthimin e shumicës së terminaleve në menaxhim të shtetit që ka kursyer miliona euro për ekonominë. Ndër të tjera, Kryeministri Kurti përgëzoi kadetët si dhe familjet e tyre për suksesin e arritur.

Në fjalën e tij, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati theksoi se kadetët që diplomojnë i vihen në shërbim të vendit, dhe se nuk ka detyrë më fisnike se të shërbesh atdheut.

Ai uroi që këta kadetë të bëhen krenaria e të gjithë atyre që kanë punuar për shtetin dhe u dëshiroi shumë sukses në rrugëtimin e tyre profesional.

Gjithashtu, Ministri Murati përmendi se kjo ceremoni vjen në një kohë ku rezultatet e punës së Doganës janë të prekshme dhe të dukshme: rritje e ndjeshme e konfiskimeve, kontroll më i mirë i kufijve dhe rekorde historike të të hyrave, duke tejkaluar edhe projeksionet vjetore.

Nga ana e tij, Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu kujtoi sfidat e themelimit të Doganës dhe u shpreh optimist për të ardhmen me zyrtarët e rinj të cilët janë rekrutuar përmes një procesi transparent dhe meritokratik duke falënderuar BE-në, SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar si dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e ofruar.

Diplomimi i kadetëve të rinj shënon një hap të rëndësishëm në fuqizimin e mëtejmë të Doganës së Kosovës.

Telegrafi ju sjellë fotografi nga ceremonia e diplomimit: