Mesfushori i talentuar, Dijon Kameri, është larguar përfundimisht nga Red Bull Salzburg, duke i dhënë fund qëndrimit disa vjeçar te gjiganti austriak.

21-vjeçari ka firmosur me klubin polak Cracovia, ku do të vazhdojë karrierën në një kampionat të ri dhe me synime të reja.


Kameri është rritur dhe formuar si lojtar te Salzburgu, por nuk arriti të gjejë vend të qëndrueshëm në ekipin e parë, duke kaluar disa periudha huazimi.

Ai ka luajtur më parë për Grasshopperin në Zvicër dhe Altachun në Austri, por këtë herë bëhet fjalë për një transferim të plotë dhe përfundimtar.

Mesfushori ka firmosur kontratë trevjeçare me Cracovian, me opsion për zgjatje edhe për një sezon tjetër.

“Kam dëgjuar shumë për atmosferën në stadiumin Kaluza dhe mezi pres ta përjetoj atë nga afër,” u shpreh Kameri për faqen zyrtare të klubit polak.

Ai ka qenë pjesë e rregullt e grupmoshave të Austrisë dhe për vite me radhë është konsideruar një prej talenteve më premtues të futbollit austriak. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app