Dështoi votimi i buxhetit në Rahovec, reagon kryetari Smajl Latifi

Kuvendi Komunal i Rahovecit nuk ka arritur ta miratojë buxhetin e propozuar për vitin 2026, çka ka nxitur reagimin e kryetarit të Komunës, Smajl Latifi.
Në një deklaratë të publikuar pas seancës, Latifi kritikoi opozitën për mosvotimin e buxhetit, duke e cilësuar këtë veprim si pjesë të fushatës zgjedhore, transmeton Telegrafi.
“Nuk është e ndershme që buxhetin e Komunës sonë për vitin 2026 ta kthejmë në lojë fushate. Refuzimi për votimin e buxhetit pa arsye të forta, pa kritika konkrete për kodet buxhetore e pa propozime për ndryshime, në vlugun e fushatës, zbulon hapur qëllimin,” u shpreh Latifi.
Ai theksoi se buxheti i Komunës është i qytetarëve të Rahovecit dhe se është hartuar për t’iu përgjigjur nevojave të tyre.
“Buxheti i Komunës është buxhet i qytetarëve të Rahovecit, i hartuar dhe operacionalizuar për t’i adresuar kërkesat dhe nevojat e tyre. Le ta bëjmë fushatën jashtë institucioneve, sepse asnjë përfitim elektoral nuk do ta vjelë askush nga kjo strategji, përveç dëmeve që mund t’ia shkaktojmë komunës e qytetarëve”, ka shtuar kryetari Latifi. /Telegrafi/



















































