Shumica e deputetëve të koalicionit VLEN, në ueb-faqen e Kuvendit janë regjistruar si deputetë të Lëvizjes Besa. Përveç deputetit dhe kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, deputetët tjerë të VLEN-it në ueb-faqe figurojnë si deputetë të Lëvizjes Besa.

Gabim me qëllim ose jo, shërbimet e Kuvendit kanë bërë edhe me deputetin Ilir Demiri, i cili sipas Kuvendit është i pavarur, por ai tashmë ka kaluar në radhët e VLEN-it. Deputetët si Bekim Qoku, Mimoza Musa, Saranda Imeri-Stafai, Merita Kollçi-Koxhaxhiku, Imerlije Saliu-Fetai, Feride Haxhiu dhe Zeqirja Tairi, janë regjistruar si deputetë të Lëvizjes Besa.


Kemi pyetur në Kuvend për këtë çështje, prej ku thonë se ata veprojnë në bazë të deklarimit të deputetëve.

"Ne si kabinet dhe administrata operojmë në bazë të deklarimit të deputetëve", thonë nga Kuvendi.

Ndryshe, Koalicioni VLEN përbëhet nga katër parti (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët), si dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Funksionarët e VLEN-it kanë paralajmëruar kongresin e parë të VLEN-it, për më 9 maj, dita kur edhe pritet që koalicioni të shndërrohet në një parti. Për momentin VLEN në Kuvend përfaqësohet me 12 deputetë, së bashku me Ilir Demirin./Telegrafi/