Policia e Kosovës të mërkurën ka njoftuar se pas disa veprimeve operativo-hetimore të zyrtarëve të saj është vetdorëzuar një person i dënuar me tre vite burg për veprën penale “Detyrim”.

Sipas njoftimit, me datën 20 maj 2025, bazuar në planin operativ “Realizimi i Urdhëresave të Gjykatave 2025”, njësiti i urdhëresave pranë Stacionit Policor Prizren-Veri, në kuadër të aktiviteteve të veta pas formimit të grupit punues, “pas disa tentativave të njëpasnjëshme ka arritur të identifikojë vendndodhjen e personit të dënuar me tre vjet burg G.SH. 55 vjeçar nga fshati Shpenadi KK-Prizren”.


“Sipas urdhër arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, dje me datën 20.05.2025 pas disa veprimeve operativo-hetimore të policisë për arrestimin e tij, personi i kërkuar G. Sh. paraqitet në institucionin përgjegjëse për vuajtjen e dënimit me burg”, thuhet në njoftimin e Policisë, raporton Telegrafi.

Personi në fjalë, sipas njoftimit, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren me dënim me tre vjet burg për shkak të veprës penale “Detyrim” sipas Kodit Penal të Kosovës. /Telegrafi/