Dënohet me 5 vite e gjashtë muaj burg për tentim vrasje

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt thuhet se Shefqet Agushi me datë 28.12.2012, rreth orës 14:30 në fshatin Pojatë, komuna e Ferizajt, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin, Nesret Esatin dhe me dashje ka vënë në rrezik jetën e vëllait të tij, Skenderit dhe nënës Ajshe, në momentin kur i dëmtuari ishte duke e shtruar me gurë rrugën familjare. Më tutje thuhet se i pandehuri ka zbritur nga makina dhe pas një fjalosjeje ka hyrë në makinë dhe ka marr revolen e tipit Ekol Viper 2.5m, kalibër 9mm dhe nga afërsia 2-3 metra ka shkrepur një herë në ajër, e pastaj edhe tri herë në drejtim të viktimës, ku nga kjo shkrepje është goditur i dëmtuari, Nesret Esati në stomak, në krahun e djathtë dhe në këmbën e djathtë mbi gju, ku merr dëmtime të rënda trupore.
Kryetari i trupit Gjykues, Bashkim Hyseni në fjalën përfundimtare ka thënë se pas shqyrtimit të rastit gjykata ka gjetur fajtor të pandehurin për dy vepra penale.
“Për veprën e parë vrasje e rëndë në tentativë sipas nenit 179 paragrafi1, nën paragrafi 1 neni 12, për këtë vepër iu shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesë viteve, gjithashtu shpallet fajtor për veprën penale armëmbajtje pa leje, sipas nenit 374, paragrafi 1, dhe i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje gjashtë muaj. Duke i aplikuar dispozitat për dënimet me burgim, iu shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej pesë vite e gjashtë muaj ”,tha kryetari i trupit gjykues, Bashkim Hyseni.
Gjykata po ashtu ka shqiptuar masën e konfiskimin të armës me të cilën është kryer vepra. Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit. /Telegrafi/





















































