Bota arabe po përjeton ditë të vështira por të rëndësishme për fatin e saj në të ardhmen. Që nga koha e ngadhënjimit të mendësisë deterministe (ash'arite) bota arabe dhe ajo islame filloi të përjetojë një dekadencë të thellë për të cilën intelektualët dhe akademikët e dekadave të fundit të botës islame kanë bërë studime serioze. Padyshim se një mentalitet dhe mendësi e tillë pati efekte edhe në shoqëri dhe në bazë të saj populli i nënshtrohej çdo tirani, sepse ai ishte edhe ‘përfaqësues i Zotit mbi tokë’. Edhe pse në Lindjen islame kur flitet për dekadencën dhe prapambeturin menjëherë akuzat drejtohen kah Anglia dhe perëndimi, ashtu sikur disa intelektualë shqiptarë që perandorinë osmane e paraqesin si bosht të të gjitha të këqijave te ne. Nuk do mend që Anglia dhe disa shtete tjera të perëndimit për vite me radhë kanë mbajtur të kolonizuara shtetet islame dhe kanë grabitur pasuritë e tyre, por sikur muslimanët të kishin qenë të fuqishëm në aspektin intelektual dhe material, asnjëherë nuk do të kishte ndodhur diçka e tillë.

Viteve të fundit te muslimanët është parë një lëvizje drejt vetëdijesimit dhe ndriçimit, për të cilën një kontribut të madh e kanë dhënë dijetarët reformatorë duke filluar nga Sejid Xhemaludin Afgani e deri te këta të fundit si Muhamed Arkun, Nasr Abu Zajd, Muhamed Abid Al Xhabiri (që të tre ndërruan jetë në vitin 2010), Hasan Hanefi e shumë të tjerë. Këta intelektualë dhe akademikë tërë kapacitetet e tyre i fokusuan në krijimin e një mendësie të lirë dhe mendjen arabe e nxorën nga historia deterministe. Përpjekjet dhe aktivitetet e këtyre intelektualëve hasin në sulme dhe diskreditime jo profesionale dhe amorale, por megjithatë kanë një influencë të dukshme te të rinjtë arabë. Për shembull Universiteti Az'har i Egjiptit Nasr Abu Zajdin e kishte shpallur të pafe (qafir) dhe ai deri në vdekje qe i detyruar të jetonte në Holandë.


Shkollimi dhe vetëdijesimi i rinisë arabe bëri që ajo të kuptojë se është duke u sunduar nga individë të korruptuar dhe despotë të cilët ishin pasuruar me kafshatën e popullit të tyre dhe më nuk mund të gënjenin popullin se janë të zgjedhur nga Zoti për të sunduar ‘ummetin’. Në këtë mënyrë filloi e ashtuquajtura ‘Pranvera Arabe’ dhe popujt e Tunizisë dhe Egjiptit në format më qytetëruese dhe revolucionare rrëzuan regjimet diktatoriale, kurse libianët u detyruan të marrin ndihmën e NATO-s për të larguar diktatorin. Nuk duhet lënë pa përmendur se shtetet perëndimore duke harruar normat e demokracisë dhe të drejtave të njeriut përballë lëvizjeve demokratike të popujve arabë po ndjekin politika të dyfishta brenda interesave materiale. Këto vende në Libinë e pasur me naftë u rreshtuan krahë popullit dhe ndihmuan atë të shporrnin diktatorin, por një gjë të tillë nuk e bënë me popullin e Jemenit. Për mendimin tim ‘Pranvera Arabe’ ndaloi në Jemen dhe shtetet si Arabia Saudite të mbështetura nga Amerika e heshtën revolucionin popullor për liri dhe demokraci. Në Jemen edhe pse Ali Abdullah Saleh u detyrua të tërhiqet nga pushteti, por elementë të regjimit të tij mbetën në qeveri dhe ai iku pa u gjykuar për krimet e bëra. Kështu dhe ndaj popullit jemenas u bë një padrejtësi shumë e madhe nga se ai nuk arriti të shijojë revolucionin dhe shporrjen e diktatorit si popujt tjerë arabë.

Ndërsa problemi më i madh tani është me Sirinë e Bashar Asadit. Revolucioni popullor në Siri po përballet me probleme komplekse në të cilin po përleshen fuqi rajonale madje dhe botërore. Që në fillim duhet theksuar se regjimi sirian është jo legjitim dhe despot i cili vendin e sundon pa përkrahjen e popullit. Edhe pse disa individe demonstratat pro Asad në Siri i paraqesin si legjitimuese të pushtetit, por në zgjedhjet e fundit para disa viteve Asad fitoi 97% të votave dhe kjo dëshmon se në çfarë forme ai udhëheq vendin. Por më e hidhura, në Siri janë kryqëzuar interesat e fuqive rajonale dhe ndërkombëtare dhe aty shihet një konflikt mes Iranit, Arabisë Saudite dhe Turqisë në një anë dhe midis Amerikës dhe Rusisë në anën tjetër. Çdo njëri nga ta synon t'i ruajë interesat e tij dhe nuk mërzitet fare për gjakderdhjen dhe të ardhmen e popullit sirian. Irani dëshiron të ruajë regjimin e Asadit për arsye se nëpërmjet tij do t'i bëjë ballë Izraelit, Turqia dëshiron largimin e Asadit si aleat i Iranit dhe të instalojë një qeveri aleate e cila do të ndihmonte që Turqia të bëhet lider në rajon, Arabia Saudite kërkon përmbysjen e Asadit me qëllim që ta thyejë ‘Gjysmë Hënën Shi’ite’ dhe për këtë është e gatshme t’i përdorë të gjitha alternativat diplomatike, strategjike dhe ushtarake, Amerika gjithashtu do që nëpërmjet rrëzimit të Asadit të dobësojë Hizbullahun dhe Hamasin dhe në këtë mënyrë të ruajë sigurinë e Izraelit dhe duke patur parasysh se Siria gjithmonë ka qenë aleat i ngushtë i Rusisë kjo e fundit nuk dëshiron që ta humbë aleatin e saj besnik.

Pra sipas këtyre premisave shihet se asnjëra nga këto fuqi nuk ka parasysh popullin sirian dhe demokracinë, por secila sheh interesat e ngushta. Kurse karta më e rrezikshme që është duke u luajtur në Siri është lufta sektare, duke patur parasysh se Siria është një vend ku jetojnë sekte dhe pakica të shumta dhe aktualisht vendet si Arabia Saudite dhe Katari janë duke i fryrë një lufte mes sunitëve dhe alevitëve. Të kemi parasysh luftërat sektare që kanë ndodhur në Siri në të kaluarën, ku si pasojë në xhaminë Al Amavi në Damask u vendosën katër mihrabe për katër sektet e Ehli Sunetit. Gjykoj se ky vend ka një kapacitet të madh për një luftë sektare mes alevitve dhe sunitve për arsye se sunitët sirianë janë të indinjuar ndaj pushtetit alavit të Bashar Asadit, por pa harruar se në ushtrinë dhe qeverinë e këtij vendi ekzistojnë edhe funksionar sunit dhe regjimi i këtij vendi është laik dhe aspak nuk ka të bëj me ndonjë sekt apo fe të caktuar.

Më neveritësja është se shtetet që tani flasin për demokraci dhe të drejtat e njeriut në Siri dhe që akuzojnë regjimin sirian për mos respektimin e tyre janë Arabia Saudite, Jordania dhe Katari. Padyshim se demokraci në Siri me të drejtë kërkon edhe Turqia, por për fat të keq ajo një gjë të tillë nuk e kërkon edhe për popujt e Arabisë Saudite, Jordanisë, Bahrejnit dhe për gjithë popujt e rajonit që jetojnë nën sundimin e regjimeve totalitare. Diktatorët e Arabisë Saudite dhe Jordanisë dhe të shteteve të rajonit e akuzojnë Bashar Asadin për shkelje të të drejtave të njeriut dhe shtypjen e lirisë së shprehjes. Për mua kjo është një demokraci diktatorësh.

Për çfarë diktatorët e duan demokracinë?

Demokracia e diktatorëve është se ata atë e duan për vendet të cilat sundohen nga njerëz që nuk përfillin politikat e tyre dhe duke akuzuar ata për shkelje të lirisë së fjalës dhe demokracisë, përpiqen të instalojnë një regjim tjetër diktatorial, por kësaj radhe që u nënshtrohet direktivave te tyre te errëta. Askush nuk duhet të mashtrohet se Arabia Saudite, Katari dhe Jordania duan sistem demokratik në Siri, sepse krerët e këtyre vendeve nuk i besojnë një gjëje të këtillë dhe janë armiqtë më të mëdhenj të këtyre vlerave. Kjo për mua është fyerja dhe nënçmimi më i madh që këta diktatorë u bënë popujve të tyre. Kjo është dyfytyrësia më e madhe që këta sundimtarë jo legjitim kanë ndaj këtyre vlerave. I jap të drejtë As’ad Abu Khalil, akademikut libanez i cili duke iu drejtuar udhëheqësve sauditë, shkruan: “Mbreti Fajsal na mashtronte me dëshirat për tu falur në xhaminë Al Aksa, kurse vet blinte armët e Izraelit dhe me to luftonte ushtrinë egjiptiane në Jemen”. (https://al-akhbar.com/node/26984). Këtu shihet amoraliteti më i madh i krerëve të shteteve arabe. Këta despotë kanë angazhuar të gjitha makineritë e tyre për të shuar lëvizjen madhështore të ‘Pranverës Arabe’ sepse e dinë se edhe ata do të përfundojnë si Ben Ali, Mubarak ndoshta edhe si Gadafi dhe për t’i ikur një fundi tragjikë po bëjnë propagandën e një lufte ndërsektare.

Udhëheqësit e Arabisë Saudite dhe Katarit me mediat e tyre po përhapin luftë sektare e cila do të ketë pasoja shumë të rënda jo vetëm në rajon por edhe në botë. Këto vende gjithashtu po përdorin të gjitha alternativat, madje edhe gjakderdhjen e njerëzve, për te eliminuar rivalët e tyre në rajon. Të paafta për të zhvilluar një rivalitet diplomatik, zhvillimor dhe strategjik për të qenë fuqi rajonale, këto shtete kanë mobilizuar dhe i kanë thirr në ndihmë aleatët perëndimorë që ta ndëshkojnë Iranin rival. Një rivalitet i tillë është jashtë çdo norme dhe etike të fesë që i përkasin vendet e rajonit.

Me shpresë që një ditë të përmbysen të gjitha këto regjime despotike që janë njollë e zezë për botën e qytetëruar islame!