Danimarka ka pezulluar marrëveshjen e nënshkruar me Kosovën, për marrjen me qira të 300 qelive në burgun e Gjilanit.

Siç raportojnë mediat në Danimarkë, marrëveshja është pezulluar në kohë të pacaktuar.


“Sipas një komunikate të Shoqatës së Burgjeve, ka mungesë financimi për projektin në fjalë”, raportojnë mediat atje.

Screenshot 4 55

Kosova dhe Danimarka më 20 dhjetor 2021 nënshkruan një letër-pëlqim, sipas të cilit Danimarka do të merrte me qira për 10 vjet 300 qeli në Gjilan.

Marrëveshja ishte përcjellë me kritika nga shoqatat e të drejtave të njeriut në Danimarkë. Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Haekkerup, kishte nënshkruar traktat që Danimarka të marrë me qira 300 qeli në Kosovë.

Lidhur me këtë marrëveshje, Telegrafi javë më parë kishte pyetur Ministrinë e Drejtësisë se në çfarë faze ndodhet. Nga MD kishin bërë të ditur se ekipet e të dy vendeve janë në përfundim të negocimit të aspekteve të marrëveshjes.

“Aktualisht ekipet e dy vendeve janë në përfundim të negocimit të aspekteve të marrëveshjes për financimin e projekteve për investimet në energjinë e ripërtritshme, si dhe projekteve në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë”, kishte deklaruar Flamur Pireva, këshilltari i ministres Haxhiu. /Telegrafi/