Coldplay gati të thyejnë rekorde me turneun botëror

Coldplay janë në prag të një arritjeje historike me turneun “Music Of The Spheres”, i cili ka përfshirë 225 koncerte në mbarë botën.
Grupi ka shitur mbi 12 milionë bileta dhe ka gjeneruar më shumë se 1.38 miliardë dollarë të ardhura, duke u bërë turneu më fitimprurës në histori për një grup muzikor.
Shifrat pritet të kalojnë edhe më tej këtë muaj, duke e çuar fitimin mbi 1.4 miliardë dollarë, shkruan DailyMail.
Ky sukses e tejkalon edhe rekordin e mëparshëm të Elton John, ndërsa Coldplay konsolidojnë statusin e tyre si grupi më i paguar britanik për performanca live.
Megjithatë, turneu nuk ka kaluar pa polemika. Në një koncert në Wembley, Chris Martin ftoi në skenë dy fansa izraelitë, gjë që solli fishkëllima nga turma.
Ai reagoi duke bërë thirrje për barazi dhe respekt për të gjithë, duke përmendur edhe palestinezët, çka ndezi debate në rrjete sociale dhe media.
Pavarësisht momenteve të diskutueshme, turneu është vlerësuar si një spektakël i jashtëzakonshëm, me skena madhështore, efekte të fuqishme vizuale dhe një atmosferë që fansat e kanë quajtur “magjike”. /Telegrafi/






























































