LAJMI I FUNDIT:

Çka përmban Propozim Ligji për gjuhët në Republikën e Maqedonisë ?

Çka përmban Propozim Ligji për gjuhët në Republikën e Maqedonisë ?
Ilustrim

Nga Qeveria e RM-së, bëjnë të ditur se në mbledhjen e saj të 20-të, me të cilën kryesonte Radmilla Sheqerinska, zv. kryeministre dhe ministre e mbrojtjes, ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve që del nga harmonizimi i programit kombëtar për me rezolutat e Bashkimit Evropian, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në versionin e miratuar parashihet dygjuhësi në uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe të punësuarve në sektorin e shëndetësisë në komunat me mbi 20 për qind banorë shqiptarë, si dhe në Bashkinë e Shkupit.

Në tekstin e ligjit thuhet: ‘Uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe në shëndetësi, në Shkup dhe në komunat në të cilat 20 për qind e banorëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20 për qind të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe në alfabetin e saj’.


Sa i përket dygjuhësisë në uniformat e Armatës, do të pritet mendim nga Komisioni i Venedikut. Ligji në fjalë gjithashtu parasheh të hollat dhe markat postale të përmbajnë simbole që janë të rëndësishme për popujt maqedonas dhe shqiptarë.

Në këtë pjesë të Propozim ligjit qëndron: ‘Kartëmonedhat dhe monedhat si dhe kartat postale do të përmbajnë simbole që përfaqësojnë trashëgimi kulturore për qytetarët të cilët flasin maqedonase dhe e përdorin alfabetin e saj cirilik dhe gjuhën të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve dhe alfabetin e saj’.

Kjo nënkupton se tek të hollat nuk parashihet përdorimi i gjuhës shqipe por në to të aplikohen vetëm elemente me rëndësi historike – kulturore për popullin shiptar./Telegrafi/