Çfarë pret Arteta nga Madueke

Arsenali ka zyrtarizuar sot transferimin e anësorit anglez Noni Madueke, i cili ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me klubin londinez.
Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë trajneri Mikel Arteta, i cili shprehu entuziazmin për këtë afrim të ri.
"Jemi të gjithë shumë të lumtur që e mirëpresim Noni Madueke në ekip", deklaroi Arteta për faqen zyrtare të klubit. "Noni është një lojtar i ri emocionues dhe i fuqishëm. Performancat dhe shifrat e tij në sezonet e fundit kanë qenë të një cilësie të lartë dhe ai është një nga lojtarët më të talentuar në sulmin anësor në Ligën Premier".
Madueke, vetëm 23 vjeç, i bashkohet Arsenalit pas dy vitesh e gjysmë te Chelsea, ku zhvilloi disa paraqitje të rëndësishme, por vendosi të ndryshojë ambient për të pasur më shumë hapësirë në një projekt të ri sportiv.
Transferimi i tij është mbyllur për një shumë prej 48.5 milionë funtesh, plus 3.5 milionë funte në formë bonusesh të mundshme.
"Me gjithë përvojën që ka grumbulluar tashmë në futbollin e klubeve dhe në atë ndërkombëtar, Noni do të jetë një shtesë e rëndësishme për skuadrën tonë. Ai njeh shumë mirë Ligën Premier dhe ka disa shokë skuadre këtu, ndaj do të ndihet menjëherë si në shtëpi", shtoi Arteta.
Ardhja e Maduekes pritet të rrisë konkurrencën në repartin ofensiv të Arsenalit, i cili po ndërton një skuadër të fortë për sezonin e ri në Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve.
Klubi londinez i ka uruar mirëseardhje Maduekes, duke e cilësuar si një lojtar që do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e skuadrës. /Telegrafi/



















































