LAJMI I FUNDIT:

Çfarë po kërkojnë “studentët” dhe kush qëndron prapa tyre?

Çfarë po kërkojnë “studentët” dhe kush qëndron prapa tyre?

Kësaj pyetjeje është shumë e rëndësishme t’i përgjigjemi tash që pas një sërë betejash të humbura nga krimi i organizuar që vepron brenda UP-së, po ngrihet terreni për betejën e re që prapë do ta humbin ata që i përkasin krimit. E nisën duke e nxjerrë në pah primitivizmin e tyre duke pretenduar jolegjitimitetin e zgjedhjes së rektorit Zejnullahu, kinse për shkak të njëfarë baxhanaku; e vazhduan me pretendime diletante për kinse paaftësinë shkencore të rektorit; ia ndërsyen veteranët, i ndezën mjekët e pafytyrë të njohur si hallka kryesore e korrupsionit në vend që kërcënuan me ndarjen e Fakultetit të Mjekësisë nga UP-ja; e vazhduan me punonjësit inkompetentë (profesorët e asistentët me të njofshëm) që nuk pranojnë t’i nënshkruajnë kontratat me UP-në si vend i dytë pune, por që duan ta zhvasin UP-në se me gjasë grykat u janë rritur aq shumë sa s’ngopen më: dhe po, po e vazhdojnë tani me studentët që për mendimin tim janë fort të dyshimtë, të cilët po kërkojnë uljen e cilësisë! Dhe, kjo do të duhej të na çudiste të gjithëve apo jo?

Para pak kohësh, Senati i UP-së më në fund mori disa vendime për rritjen e cilësisë. Se, zonja e zotërinj lexues, ju nuk e di a e dini, por kolegët e mi në Universitet për tri fjali të shkruara e kanë të paktën pesë numrin e gabimeve. Për strukturën e paragrafeve në esetë e tyre s’po flas fare se më vjen turp të zbuloj përpara jush e më vjen dhe keq t’ju terrorizoj me të vërtetën e tmerrshme.


Zonja e zotërinj lexues, ju nuk e di a e dini, po kolegët e mi studentë më shumë se gjysmën e lëndëve i kryejnë duke i mësuar përmendësh testet e blera nëpër të ashtuquajturat “fotokopje”. Kur vjen puna për të lexuar, ata lexojnë në rastin më të mirë në skripta të improvizuara 30-50 faqëshe. Për të studiuar as që bëhet fjalë. Prandaj, qe 15 vjet shoqëria jonë ka prodhuar idiotë, idiotësitë e të cilëve mund t’i vëreni përditë kur hapni televizorin, apo kur kërkoni ndonjë shërbim publik. Ata zyrtarët e mosdishëm, ata idiotët që ua shkatërrojnë nervat kur i shihni në televizor, ata drejtorë, referentë, ata që ua nxijnë jetën me mosdijen e tyre, pikërisht ata, i ka prodhuar për 15 vjet me radhë UP-ja.

Eh, kur më në fund u mor vendimi për ndalimin e kësaj gjendje të rëndë dhe fillimin e një procesi të pastrimit, filluan të angazhohen të gjithë matrapazët, të mosditurit, kriminelët për ta ruajtur gjendjen e tyre. Ja pra, këta qëndrojnë prapa të ashtuquajturve “studentë të pavarur” që kanë kërkesën më të çuditshme në botë, uljen e cilësisë në universitet!

Në gjashtë kërkesat zyrtare të këtyre far “studentëve” brumi është ulja e cilësisë, pra kërkesa që të ndryshohet vendimi i Senatit për të mos i lejuar të vazhdojnë me studime studentët që nuk arrijnë t’i përfundojnë me kohë provimet. Por, mbi të gjitha, këta far studentësh kanë vënë një kërkesë të cilën e kanë shndërruar në parullë: “Prilli me dy provime”. Ju nuk e di a e dini, por “Prilli” është afat shtesë ilegal që mbahet në UP bashkë me “Tetorin”, të cilët kanë shërbyer si afate të parregullta për vite të tëra. Pse? Sepse prapë ju nuk e di a e dini, por UP-ja i ka diku 60 mijë studentë ku pjesa dërrmuese kanë hyrë sa për të marrë diplomën dhe jo dijen, me shpresë që do të punësohen e jo të studiojnë. Pra, janë krijuar afate shtesë për t’ua mundësuar kryerjen e universiteti kësaj teprice të madhe “studentësh”.

Tash po kërkohet që afati i parregullt i cili është lejuar si një kompromis të bëhet afat ku mund të kryhen dy provime e jo vetëm një siç është vendosur nga Senati. Dhe vetëm sa për t’ju informuar: që unë ende jam në vitin e tretë në UP duke qenë se kur e patëm gjuajtur me ngjyrë të kuqe ish-rektorin unë u pata përjashtuar dhe vetëm pas dy vitesh m’u lejua të vazhdoj studimet. Dhe po, mua personalisht më konvenon më shumë se kujtdo tjetër afati i parregullt i prillit ashtu që ta zë sado pak hapin në studime, por unë s’mund dhe nuk do të jem këtu avokat i vetes sime, por do të jem si kurdoherë aktivist i një çështjeje publike, kësaj radhe i arsimimit kualitativ të shoqërisë sonë.

Prandaj, në njëfarë forme, po e kundërshtoj atë që mua personalisht më konvenon jashtë mase për t’i dhënë të drejtë asaj që është e mirë për të gjithë ne.

Pra, është shumë e qartë, këta të ashtuquajtur “studentë” të shtyrë nga një grup asistentësh e profesorësh, kokrra e mediokritetit në shoqërinë tonë, kërkojnë ulje të cilësisë. Një numër i madh studentësh (me të njofshëm), që nuk janë të përgatitur për universitet po i mbështesin këto kërkesa se atyre u konvenon kjo gjendje, e një masë tjetër e studentëve që kanë aftësi, por që u ka humbur udha për kushedi sa arsye nuk e kuptojnë se kërkesa për uljen e cilësisë është devalvim i diplomave që do t’i marrin. Para kësaj gjendje neve na duhet të angazhohemi edhe njëherë për ta fituar edhe një betejë, në të mirë të të gjithë neve dhe për t’ia dhënë edhe një goditje krimit me shpresën që kjo do të jetë goditja përfundimtare.