Të rinjtë nuk dinë asgjë për asnjërën prej tyre.

Nga: Cal Thomas / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com


Duke parë entuziazmin, sidomos te njerëzit më të rinj se unë, për misionin Artemis II rreth Hënës, na kujtohet se njerëzit e fundit që zbarkuan në sipërfaqen hënore e bënë këtë në dhjetor 1972.

Dy breza kanë lindur që atëherë dhe, për ta, emocionet e një rakete të fuqishme dhe rreziku i përfshirë në një mision të tillë janë diçka e re.

Kjo është gati të ndodhë edhe me socializmin. Ai po imponohet në Nju-Jork nga kryetari Zohran Mamdani, nga “profeti” i tij prej kohësh në Amerikë, nga senatori i pavarur nga Vermonti, Bernard Sanders, dhe të tjerë brenda dhe jashtë Kongresit.

Shumë të rinj që votuan për z. Mamdani nuk kanë asnjë ide se si duket apo si ndihet socializmi. Ata nuk jetuan gjatë Luftës së Ftohtë. Ata kurrë nuk kanë jetuar nën socializëm. Shpërndarja e pasurisë tek ata që nuk e kanë fituar atë u duket kaq “e drejtë” dhe, pa e ditur pse, ata kanë filluar të urrejnë pasurinë e krijuar nga kapitalizmi.

Megjithatë, për momentin, ata ende përfitojnë prej tij.

Shumica e këtyre të rinjve nuk kanë shërbyer kurrë në ushtrinë tonë vullnetare dhe, në shumë raste, ata janë përkëdhelur nga prindërit që i lejojnë të jetojnë në shtëpi kur diplomat e tyre në studime afro-amerikane apo të grave nuk i kualifikojnë për punë të vërteta në një ekonomi gjithnjë e më teknologjike.

Të rinjtë (dhe edhe më të moshuarit, për arsye të ndryshme) janë të entuziazmuar nga aventura anijes Artemis II. Duket se nuk janë të vetëdijshëm për atë që bëri programi i mëparshëm hapësinor për të bashkuar amerikanët në mënyrat s’i kemi parë që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

Përsëri, një brez tjetër ka lindur që nga ajo ditë e tmerrshme.

Si një reporter i ri në Hjuston, mbulova programin hapësinor në fund të viteve ‘60 dhe fillim të viteve ’70 të shekullit XX. Ai ishte produkt i vizionit të presidentit Kennedy për të dërguar njerëz në Hënë deri në fund të viteve ’60 të shekullit XX.

Ata astronautë vërtet ishin “të duhurit” [The Right Stuff], siç i quajti Tom Wolfe në një libër që u bë film i suksesshëm. Ishte emocionuese të kaloje kohë në qendrën e kontrollit të misionit, të uleshe në një simulator, të takoje disa nga astronautët, përfshirë Alan Shepardin, John Glennin, Deke Slaytonin dhe Jack Lousman, dhe t’i shikoje disa prej tyre duke fluturuar drejt Hënës.

Edhe pse Lufta e Vietnamit vazhdonte dhe protestuesit dilnin në rrugë për të protestuar, programi hapësinor i ShBA-së ishte një forcë bashkuese.

Kur Apollo 13 hasi në vështirësi (“Hjuston, kemi pasur një problem”, tha Jim Lovell), tri rrjetet televizive që ishin bërë indiferente pas uljeve të mëparshme në Hënë, fillimisht nuk e mbuluan ngjarjen. Jo derisa një rezervuar oksigjeni shpërtheu në modulin e shërbimit, duke çaktivizuar sistemin e tij elektrik dhe të mbështetjes së jetës.

Papritur, bota po e ndiqte sërish dramën, ashtu siç kishte bërë kur Apollo 11 zbarkoi për herë të parë njerëz në Hënë. Madje edhe Kongresi nxori një deklaratë duke bërë thirrje për lutje për kthimin e sigurt të astronautëve.

Kjo mund të mos ndodhë sot.

Po dëgjojmë përsëri argumente kundër shpenzimit të kaq shumë parave për misionet hapësinore kur ekonomia po has vështirësi, por ne i trajtojmë të dyja ato. Kemi bërë kështu edhe më parë.

Thuhet se kapitalizmi i ngre të gjitha varkat. Socializmi i fundos ato, ose të paktën i pengon të lundrojnë. Njerëzit, veçanërisht të rinjtë, që nuk kanë jetuar kurrë nën socializëm duhet ta studiojnë atë dhe të dëgjojnë ose lexojnë për njerëzit që e kanë jetuar.

Sa i përket programit të ripërtërirë hapësinor, eksplorimi është në gjakun tonë dhe, me teknologji edhe më të reja që do të vijnë së shpejti, do të jemi në gjendje të shkojmë edhe më larg se kushdo më parë.

Të rinj: lërini telefonat dhe mësoni më shumë për hapësirën dhe socializmin. /Telegrafi/