Të shtunën në Bratunac, të dielën në Prijedor. Rreth 30 kadetë të Akademisë Ushtarake të Beogradit qëndruan në këto dy qytete të Bosnje e Hercegovinës – njëri në lindje e tjetri në veriperëndim të vendit.
Në Bratunac ishin për të shënuar “përvjetorin e vuajtjeve të serbëve të Podrinjës”, ndërsa në Prijedor qëndruan “në prag të përvjetorit të Betejës së Kozarës”.
Shkuarja e tyre, siç tha Policia Kufitare e Bosnje e Hercegovinës për Radion Evropa e Lirë, ishte paralajmëruar përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës.
Ministri Ellmedin Konakoviq nuk iu përgjigj thirrjeve të Radios Evropa e Lirë, por në një prononcim për agjencinë Fena tha se Ministria ka pranuar njoftimin për vizitën e delegacionit dhe se ai ka vepruar “në përputhje me ligjin”.
“Detyrimi ynë i vetëm është ta përcjellim atë në tri adresa, përkatësisht në Policinë Kufitare të Bosnje e Hercegovinës, në Ministrinë e Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, pra në Drejtorinë për Koordinimin e Autoriteteve Policore, dhe në Drejtorinë për Tatimet Indirekte. Në përputhje me procedurat, këtë e kemi bërë, ashtu siç e bëjmë zakonisht”, tha Konakoviq.
Kadetët shkuan si pjesë e një delegacioni nga Serbia, të udhëhequr nga përfaqësues të Ministrisë së Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale.
Sipas Ligjit për Ushtrinë e Serbisë, anëtarë të saj janë, mes të tjerëve, nxënësit dhe kadetët e institucioneve arsimore ushtarake, të cilët shkollohen për detyra ushtarake.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia “i ka respektuar të gjitha procedurat” me rastin e nisjes së kadetëve të Akademisë Ushtarake të Beogradit në Bosnje e Hercegovinë.
Duke folur për Televizionin Pink të Serbisë, Vuçiq tha se nuk është hera e parë që kadetët e kësaj akademie marrin pjesë në parada në Bosnje e Hercegovinë dhe se Serbia ka bërë “çdo gjë sipas ligjeve dhe procedurave, pikërisht ashtu siç duhet”.
Çfarë dihet për praninë e kadetëve?
Të dielën, më 7 korrik, kadetët parakaluan nëpër rrugët e Prijedorit, në prag të 82-vjetorit të “Betejës së Kozarës në Luftën e Dytë Botërore”, njoftoi agjencia Srna.
Kadetët shoqëroheshin nga eprorët e tyre.
Edhe pse zyrtarisht nuk u shënua, fotografitë treguan se kadetët ishin të pranishëm një ditë më herët edhe në Bratunac, në lindje të Bosnje e Hercegovinës, ku u përkujtua vrasja e serbëve të këtij rajoni në luftën e viteve ’90.
Policia Kufitare e Bosnje e Hercegovinës i tha Radios Evropa e Lirë se ardhja e studentëve dhe kadetëve nga Universiteti i Kriminalistikës dhe Policisë dhe nga Akademia Ushtarake e Beogradit është paralajmëruar.
“Më 5 korrik, 2024, Ambasada e Republikës së Serbisë ka njoftuar me një notë verbale Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës se delegacione nga Ministria e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, studentë dhe kadetë të Universitetit të Kriminalistikës dhe Policisë dhe të Akademisë Ushtarake nga Beogradi, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Serbisë do të vizitojnë Bosnje e Hercegovinën”, thuhet në përgjigjen e Policisë Kufitare të Bosnjës.
Aty thuhet, po ashtu, se Ministria i ka njoftuar “të gjitha institucionet kompetente dhe relevante”.
Në një deklaratë për agjencinë Srna, zëvendësministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, Aleksandar Goganoviq, tha se kadetët kanë shkuar në Bosnje “në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar midis Ministrisë së Punës dhe Mbrojtjes së Veteranëve dhe Invalidëve të Republikës Sërpska dhe Ministrisë së Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale të Serbisë”.
Ai tha se, marrë parasysh se bëhet fjalë për kadetë që hyjnë të paarmatosur në Bosnje e Hercegovinë, është e nevojshme që “të informohet Ministria e Punëve të Jashtme në Këshillin e Ministrave – gjë të cilën Republika e Serbisë e ka bërë”.
Deri në publikimin e këtij artikulli, REL-i thotë se nuk mori përgjigje nga Ministria e Punës në Republikën Sërpska, se për cilën marrëveshje bëhet fjalë.
Kadetët e Akademisë Ushtarake të Beogradit kanë qenë në Bosnje e Hercegovinë edhe më herët këtë vit, konkretisht më 12 maj, kur në zonën memoriale Donja Gradin janë nderuar viktimat e kampit të përqendrimit të Jasenovacit, nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
Çfarë thonë boshnjakët e Prijedorit?
Gjatë luftës së viteve 1990, 3.176 njerëz janë vrarë në Prijedor dhe në rrethinat e tij, dhe rreth 30.000 të tjerë të kombësive joserbe janë çuar në kampet Tërnopole, Omarska dhe Keraterm në Prijedor.
Të burgosurit e mbijetuar dhe familjarët e të vrarëve thonë për Radion Evropa e Lirë se janë të shqetësuar nga marshimi i njerëzve me uniforma ushtarake nëpër Prijedor.
Fikret Baçiq, përfaqësues i prindërve të fëmijëve të vrarë të Prijedorit, 29 familjarë të të cilit janë vrarë në rajonin Zecovi më 1992, përfshirë dy fëmijët dhe gruan e tij, thotë se marshimi është një kujtim i vuajtjeve të së kaluarës.
“Kjo nuk është thjesht një paradë, ajo po vazhdon për një kohë të gjatë. As komuniteti ndërkombëtar nuk po bën ndonjë gjë për t’i bërë boshnjakët dhe kroatët të ndihen të sigurt. Ajo paradë nuk është gjë tjetër, veçse një kujtim i viteve ‘90 dhe i asaj që bëri ushtria”, thotë Baçiq për Radion Evropa e Lirë.
“Nuk e di se kush është pyetur dhe kush duhet ta lejojë, apo pse e ka lejuar, por nuk e di se çfarë duhet të bëjë ushtria serbe në këtë rajon. Ne, të kthyerit boshnjakë dhe kroatë, nuk ndihemi të sigurt në Prijedor dhe situata e sigurisë është në nivelin zero”, shton ai.
Ish-i burgosuri Sabahudin Gariboviq thotë se qytetarët e Prijedorit, të cilët janë kthyer pas përfundimit të luftës në Bosnje e Hercegovinë, janë mësuar me “mashtrime të ndryshme politike” – siç e sheh ai edhe marshimin e kadetëve nga Serbia.
“Kam kaluar gjithçka në Prijedor, nga kampi deri te kthimi. Ky është më shumë një rrëfim politik dhe ne në Prijedor jemi mësuar me këtë.”, thotë Gariboviq.
“Kjo do të ketë ndikim më të madh në diasporën tonë, e cila ka frikë dhe ndoshta do të hezitojë të vijë, por ne kemi parë tashmë gjithçka”, thotë ai.
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Prijedorit, Benjamin Hoxhiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se parada nuk është asgjë e re sa u përket provokimeve që kanë përjetuar boshnjakët vendas.
Ka pasur sulme dhe kërcënime kundër figurave fetare dhe familjeve të tyre, si ai kundër Osman Rexhiqit, imamit të xhamisë Çarshija në Prijedor, në fillim të këtij viti, kujton Hoxhiq.
Por, thotë ai, jeta së bashku nuk ka alternativë.
“Shumë familje shpërngulen për shkak të kësaj. Disa shkojnë në Sanski Most, në Federatën e Bosnje e Hercegovinës… Nuk ka rëndësi. Ata njerëz që jetojnë këtu, kanë njëfarë frike, por ende qëndrojnë në vatrat e tyre”.
Çfarë thonë institucionet?
Zukan Helez, ministër i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, nuk iu përgjigj thirrjes së REL-it për qëndrimin e kadetëve serbë në Bosnje e Hercegovinë.
Deri në përfundimin e këtij artikulli, REL-i nuk mori përgjigje as nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Ngjashëm, as Ambasada e Serbisë në Sarajevë nuk iu përgjigj thirrjeve të REL-it.
Paraprakisht reagoi anëtari i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq.
Ai ka thënë se ky institucion, i cili është Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të Bosnje e Hercegovinës, nuk e ka miratuar hyrjen e pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë në Bosnje e Hercegovinë.
“Gjithashtu, në kuadër të planit të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Bosnje e Hercegovinës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Serbisë, ky aktivitet nuk është planifikuar”, shkroi ai në Facebook.
Si është e rregulluar hyrja e trupave të huaja në Bosnje e Hercegovinë?
Sipas Ligjit për Ushtrinë e Serbisë, anëtarë të saj janë – në mesin e të tjerëve – edhe nxënës dhe kadetë të institucioneve arsimore ushtarake, të cilët përgatiten për detyra ushtarake.
Hyrjen dhe qëndrimin e një ushtrie të një vendi të huaj në territorin e Bosnje e Hercegovinës e rregullon e ashtuquajtura marrëveshje “PfP SOFA”, d.m.th. Marrëveshja ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe shteteve të tjera pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe.
Bosnje e Hercegovina dhe Serbia janë anëtare të Partneritetit për Paqe.
Marrëveshja është ratifikuar nga Bosnje e Hercegovina në vitin 2008 dhe, sipas udhëzimeve për aplikimin e saj, Ministria e Mbrojtjes është e detyruar ta njoftojë Policinë Kufitare të Bosnje e Hercegovinës të paktën 48 orë para hyrjes së pjesëtarëve të një ushtrie në vend.
Njoftimi duhet të përmbajë, mes tjerash, të dhëna për numrin e forcave, nga vijnë, ku shkojnë, cilat pika kufitare i shfrytëzojnë dhe çfarë pajisjesh dhe armatimesh sjellin në vend.
“Përveç në Policinë Kufitare, njoftimi u dërgohet edhe institucioneve dhe organeve të tjera në Bosnje e Hercegovinë, përgjegjëse për çështjet që kanë të bëjnë me hyrjen, kalimin dhe daljen e forcave dhe pajisjeve të tyre”, thuhet në udhëzim.
Në atë dokument thuhet, gjithashtu, se prania e trupave të huaja mund të rregullohet “me vendim, shkëmbim letrash, marrëveshje të veçantë ose formë tjetër pëlqimi”.
Studentët e akademive ushtarake apo shkollave ushtarake nuk përmenden në udhëzim. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Hamasi ia dorëzon Izraelit katër ushtare femra të kapura peng, publikohen pamjet
Meksika refuzon fluturimin ushtarak amerikan për deportimin e emigrantëve
Trump i përgjigjet ofertës së Salmanit prej 600 miliardë dollarësh: Duhet t’i rrumbullakojë investimet në një trilion
Kush e vrau John F Kennedy? Atentati që tronditi botën
Musk po shkakton telashe në Evropë - çfarë përfiton ai nga kjo?
Grevë e përgjithshme në Serbi, reagon ambasada amerikane në Beograd
Një hienë me pika është shfaqur në Egjipt, për herë të parë në 5000 vjet
Senati konfirmon Pete Hegseth si Sekretarin e ri të Mbrojtjes, pavarësisht akuzave për sulme seksuale
NASA fotografon dukurinë e rrallë të Hënës që kalon faqen e Tokës nga mbi një milion kilometra larg
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Befasia e këtij fillim viti: Nga Spanja raportojnë se Messi po rikthehet te Barcelona
Surpriza tejet e veçantë për Vullnetin: Niset për në Negroc për t'i takuar familjarët e tij
Musk po shkakton telashe në Evropë - çfarë përfiton ai nga kjo?
Olta Gixhari shkëlqen në finalen e Big Brother VIP Kosova me një pamje mahnitëse
100 milionë euro? As kjo nuk e bindi yllin e Real Madridit të braktiste Bernabeun për Chelsean e Abramovichit
Xuxi surprizohet nga familja e tij në finalen e Big Brother VIP Kosova