Ceremonia prestigjioze BRIT Awards do të largohet nga Londra për herë të parë në historinë 46-vjeçare të saj, duke shënuar një ndryshim të madh në traditën e muzikës britanike.

DailyMail zbulon se ky spektakël vjetor, që konsiderohet nata më e rëndësishme e muzikës në Britani, vitin tjetër do të mbahet në Manchester. Po ashtu, parashihet që në të ardhmen ceremonia të zhvillohet në qytete të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar.


Ky ndryshim do të prezantohet zyrtarisht si përpjekje për të arritur audienca të reja në rajone të tjera dhe për të eliminuar reputacionin e saj si ngjarje që sillet vetëm rreth Londrës.

Megjithatë, burime nga industria muzikore kanë treguar për DailyMail se një ndër arsyet kryesore mbetet edhe reduktimi i shpenzimeve, pasi “gjithçka është më e shtrenjtë në kryeqytet”.

Prej vitit 2011, BRIT Awards është mbajtur në O2 Arena në Londër. Më parë, ceremonia është zhvilluar edhe në Earl’s Court, London Arena, Alexandra Palace, Hammersmith Apollo, Dominion Theatre, Royal Albert Hall, Grosvenor Hotel dhe vendndodhja e saj origjinale, Wembley Conference Centre.

Largimi nga Londra shënon fillimin e një epoke të re për BRIT Awards – një prej më të thellave dhe më të guximshmeve deri më tani.

Një burim për DailyMail u shpreh: “Zyrtarisht është fundi i një epoke. BRIT Awards është mbajtur në Londër që nga viti 1977, kur u zhvillua për herë të parë. Tani, për herë të parë, ceremonia do të zhvendoset jashtë kryeqytetit”.

“Sigurisht që do të jetë lajm i hidhur për artistët dhe figurat që jetojnë në Londër, por brenda industrisë ekziston ndjenja se ngjarje të tilla nuk duhet të mbahen çdo vit në të njëjtat vende”.

“Kjo natë e madhe muzikore do të ndahet me një audiencë të re – fansa nga Manchesteri dhe qytetet përreth do ta kenë më të lehtë të marrin pjesë”.

“Në vitet e fundit ka pasur kërkesa që edhe BRITs të ndjekin shembullin e çmimeve Mercury Prize dhe MOBO Awards, të cilat nuk janë të kufizuara vetëm në Londër. Tashmë, edhe skena muzikore britanike do të jetë më gjithëpërfshirëse, si për të nominuarit ashtu edhe për fansat”.

Sipas raportimeve, ceremonia pritet të mbahet në arenën e re të mbyllur Co-op Live në Manchester – një vend që ka nxitur spekulime se Oasis, të cilët së fundmi janë bashkuar për një rikthim të shumëpritur, mund të performojnë për herë të parë pas shumë vitesh në qytetin e tyre të lindjes.

Burime të brendshme kanë treguar gjithashtu se zhvendosja mund të çlirojë fonde shtesë për të sjellë artistë të mëdhenj në skenë – diçka që ka qenë gjithmonë një pikë e fortë e ceremonisë.

Megjithatë, ka shqetësime se shumë artistë dhe drejtues të shtëpive diskografike që ndodhen në Londër mund të mos jenë entuziastë për këtë ndryshim, sidomos për shkak të kostove të larta të udhëtimit dhe akomodimit.

Një tjetër burim deklaroi: “Është zhgënjyese për artistët që jetojnë në Londër. Shpenzimet për të udhëtuar në Manchester do të trefishohen dhe çmimet e hoteleve do të rriten”.

“Po ashtu, ekziston frika se shtëpitë diskografike si Sony Music, Warner dhe Universal nuk do të jenë të gatshme të organizojnë mbrëmje glamuroze pas ceremonisë, siç kanë bërë zakonisht në Londër. Ka shqetësime se kjo do të ndikojë në pjesëmarrjen e përgjithshme”.

“Shumë mendojnë se vendimi është marrë vetëm për të kursyer para, ndonëse Londra është konsideruar gjithmonë si shtëpia e BRIT Awards”.

BRIT Awards njihet jo vetëm për performancat spektakolare dhe të ftuarit glamurozë, por edhe për momentet e çuditshme e të paharrueshme që kanë hyrë në historinë e muzikës britanike.

Në vitin 2015, Madonna u rrëzua nga shkallët gjatë performancës, pasi një balerin i kapi mantelin dhe e tërhoqi pa dashje.

Në vitin 1998, grupi Chumbawamba derdhi një kovë me ujë të ftohtë mbi zëvendëskryeministrin e atëhershëm John Prescott. Po ashtu, në vitin 2000, DJ Brandon Block u përball në skenë me legjendën e Rolling Stones, Ronnie Wood, i cili i hodhi pijen në fytyrë dhe ftoi Vinnie Jones të përballej me të.

Një tjetër moment i famshëm ishte në vitin 1996, kur Jarvis Cocker nga grupi Pulp i prishi performancën Michael Jacksonit, duke ekspozuar të pasmet e tij në skenë. Në 2012, Adele tregoi gishtin e mesit pasi prezantuesi James Corden e ndërpreu gjatë fjalimit të saj të falënderimit.

Ceremoninë e kanë prezantuar emra të njohur si Jack Whitehall, Chris Evans, Ben Elton, Kylie Minogue dhe Peter Kay – i cili në vitin 2010 e quajti Liam Gallagher “kokëtrashë” pasi ky hodhi çmimin në publik.

Por ndoshta më famëkeqi ishte edicioni i vitit 1989, i prezantuar nga legjenda e faqeve të treta Samantha Fox dhe muzikanti Mick Fleetwood. Ajo ceremoni ishte aq kaotike dhe plot probleme teknike, saqë u transmetua dy herë – herën e dytë me gabimet e redaktuara.

BRIT Awards po hyn në një kapitull të ri – me shumë entuziazëm dhe po aq polemika. Mbetet të shihet nëse kjo lëvizje do të ringjallë shpirtin e saj apo do të hapë një debat të ri për “shtëpinë” e muzikës britanike. /Telegrafi/