Një raportim ‘shokues’ ka zbuluar se Casemiro është bërë ‘pishman’ që iu bashkua Manchester Unitedit, për shkak të “paqëndrueshmërisë institucionale” duke iu referuar kështu situatave jo të këndshme që kanë ndodhur së fundmi tek klubi anglez.
Braziliani kaloi në “Old Trafford” nga Real Madridi për një shumë të madhe parash verën e kaluar dhe ka bërë paraqitje mjaft të mira nën urdhrat e Ten Hag që në sezonin debutues, duke ndihmuar “Djajtë e Kuq” të përfundojnë në top katërshe të Ligës Premier dhe në fitoren e “Carabao Cup”.
Sidoqoftë, këtë sezon thuhet se Casemiro ka vuajtur me mediumin katalan El Nacional që ka raportuar se ai i ka rënë ‘pishman’ që është bërë pjesë e klubit anglez.
Raporti shton se qëndrimi i Casemiros tek United nuk do të zgjasë shumë pasi ai ka shfaqur shqetësime të mëdha rreth mënyrës se si po drejtohet klubi.
Paraqitjet e Casemiros kanë rënë dukshëm dhe kjo besohet për shkak se ai ka humbur besimin tek klubi, andaj United thuhet se janë të interesuar për të nënshkruar me Joao Neves të Benficas si zëvendësues të brazilianit.
Klubi anglez tashmë ka eksploruar mundësinë e nënshkrimit me Neves dhe kanë mësuar se duhet të shpenzojnë të paktën 70 milionë euro nëse dëshirojnë të sigurojnë shërbimet e tij.
United me shumë mundësi nuk do ta shesë Casemiron në afatin kalimtar të janarit duke marrë parasysh se kontrata e tij skadon në vitin 2026.
Sidoqoftë, ata mund të bëjnë një ofertë për Neves, diçka që mund të bëjë që e ardhmja e Casemiros të jetë në pikëpyetje gjatë verës./Telegrafi/