Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher, ka vlerësuar lart paraqitjet e mesfushorit gjerman Florian Wirtz në Ligën Premier, duke e cilësuar atë si një nga fitimet më të mëdha të kampionatit anglez pas largimit të Kevin De Bruyne.

Wirtz e pati një fillim të vështirë aventurën e tij te Liverpooli, por në javët e fundit ka treguar rritje të ndjeshme në formë, duke kontribuar me gola dhe asistime, çka ka tërhequr vëmendjen e analistëve dhe ish-futbollistëve.


“Wirtz po përmirësohet gradualisht. Nuk ka asnjë dyshim për aftësitë e tij. Liga Premier humbi Kevin De Bruyne, por fitoi Wirtz. Po flasim për lojtarë të veçantë që vijnë në ligën tonë. E kam parë shumë dhe shpesh pyesja veten nëse ai mund të arrinte nivelin e De Bruyne”, ka deklaruar Carragher.

Sipas tij, profili i gjermanit ka ngjashmëri me disa nga mesfushorët më të mëdhenj që kanë luajtur në Angli.

“Kur e shoh Wirtzin, mendoj se ai mund të jetë si David Silva, por ka diçka nga të dy lojtarët brenda tij”, shtoi ish-mbrojtësi anglez.

Carragher foli edhe për fillimin e ngadaltë të Wirtz dhe kritikat që ai kishte marrë në ndeshjet e para.

“Nuk jam i sigurt nëse do të arrijë të njëjtat shifra si De Bruyne. Por duke folur për nisjen e tij të ngadaltë, pati një ndeshje jashtë fushe kundër Manchester Cityt, kur Gary Neville tha se ai dukej si një fëmijë. Tani ai do të luajë sërish kundër Cityt në Anfield. Ai nuk është më fëmijë dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer për t’ia mbyllur gojën Neville”, përfundoi Carragher.

Florian Wirtz, 22 vjeç, ka zhvilluar 32 ndeshje në të gjitha garat deri më tani me fanellën e Liverpoolit, duke realizuar gjashtë gola dhe tetë asistime. /Telegrafi/