ByteDance pezullon lansimin e modelit të Inteligjencës Artificiale për video pas mosmarrëveshjeve për të drejtat e autorit
Kompania kineze ByteDance ka pezulluar lansimin global të modelit të saj të ri për gjenerimin e videove me inteligjencë artificiale, Seedance 2.0, pas disa mosmarrëveshjeve për të drejtat e autorit me studiot e mëdha të Hollywood-it.
Sipas raportimeve, kompanitë e industrisë së filmit kanë akuzuar platformën për përdorimin e paautorizuar të personazheve dhe materialeve të mbrojtura me copyright.
Ndër studiot që kanë reaguar është edhe The Walt Disney Company, e cila i dërgoi një letër paralajmëruese ByteDance duke pretenduar se personazhe nga franshiza si Star Wars dhe Marvel Cinematic Universe janë përdorur për të trajnuar modelin pa leje.
Debati u nxit pasi në rrjetet sociale në Kinë u shpërndanë video të krijuara nga AI ku shfaqeshin edhe aktorët Tom Cruise dhe Brad Pitt në skena të rreme filmike.
Seedance 2.0 u prezantua në shkurt dhe synon të përdoret në film, reklamë dhe tregti elektronike për të ulur kostot e prodhimit të përmbajtjes.
Megjithatë, kompania ka vendosur të shtyjë lansimin global derisa të zgjidhë çështjet ligjore dhe të vendosë mekanizma që parandalojnë shkeljet e pronësisë intelektuale. /Telegrafi/





























