Bullgaria është një shtet sovran dhe prej kohësh kishte bërë zgjedhjen e saj duke u bërë anëtare e NATO-s, tha kryeministri Kiril Petkov në Asamblenë Kombëtare më 21 janar, duke iu përgjigjur thirrjes së Kremlinit që vendi të largohej nga Aleanca.

Më herët, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ruse tha në një konferencë se "Po flasim për tërheqjen e forcave të huaja, pajisjeve dhe armëve dhe hapa të tjerë për t'u kthyer në konfigurimin që nga viti 1997 në territorin e vendeve që nuk ishin anëtarë të NATO-s në datën e caktuar. Këtu përfshihen Bullgaria dhe Rumania”.


Ai tha se si anëtare e NATO-s “ne vendosim vetë se si ta organizojmë mbrojtjen e vendit tonë në koordinim me partnerët tanë. Traktati i Uashingtonit nuk parashikon një kategori të dytë të shteteve anëtare për të cilat mbrojtja kolektive do të zbatohet në mënyrë selektive ose në një masë të kufizuar”, raporton reuters.

3f42eea8393b4490baf3494818ef1667

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të mbetet e përkushtuar ndaj një dialogu konstruktiv për të de-përshkallëzuar tensionet, si dhe të punojë për një Evropë më të sigurt të bazuar në sundimin e ligjit dhe zbatimin e rreptë të angazhimeve ligjore ndërkombëtare”, tha Petkov.

Partia pro-Kremlinit Vuzrazhdane, grupi më i vogël me 13 deputetë në Asamblenë Kombëtare me 240 vende, tha se vetëm populli bullgar mund të vendosë se cilat trupa do të jenë në territorin bullgar dhe dënoi vendosjen e "bazave amerikane" në territorin bullgar.

Në një deklaratë në faqen zyrtare të kreut të shtetit më 21 janar, presidenti Roumen Radev tha se këmbëngulja e Rusisë për tërheqjen e forcave të NATO-s nga Bullgaria ishte e papranueshme dhe e pakuptimtë.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë tha se territoret kombëtare të vendeve anëtare të NATO-s janë territore të Aleancës. Forcat e armatosura të vendeve anëtare janë gjithashtu forca të armatosura të NATO-s.

Kjo buron nga Traktati i Uashingtonit për themelimin e NATO-s, i cili është ratifikuar nga të gjitha vendet anëtare, tha ministria. /Telegrafi/