Trajneri i Shamrock, Bradley kërkon qetësi para ndeshjes me Ballkanin, kërkon gola në momentin e duhur

Trajneri i Shamrock Rovers, Stephen Bradley, ka kërkuar qetësi dhe përqendrim maksimal nga skuadra e tij për ndeshjen e kthimit ndaj Ballkanit.
Pas humbjes 1-0 në Prishtinë, ai beson se ekipi i tij ka ende shanse për kualifikim, nëse shfrytëzon mundësitë që i krijohen.
“E dimë që krijojmë raste dhe shënojmë gola, por kësaj here duhet të jemi të qetë dhe të relaksuar. Nuk ka nevojë të ngutemi prej minutës së parë. Duhet ta respektojmë kundërshtarin, por kur t’i kemi momentet tona, duhet t’i ndëshkojmë. Fokusi është të provojmë ta fitojmë ndeshjen”, ka deklaruar Bradley.
Në rrethin e dytë kualifikues, Ballkani eliminoi Floriana FC të Maltës me rezultatin e përgjithshëm 5-3. Nigerianin Sunday Adetunji shënoi tre gola dhe dha një asistim në dy takime, ndërsa Bleart Tolaj realizoi dy gola.
Adetunji ishte vendimtar edhe në ndeshjen e parë kundër Shamrock Rovers, duke shënuar golin e vetëm të sfidës.
Nga ana tjetër, Shamrock Rovers kaloi St Joseph’s të Gjibraltarit në turin e dytë. Fituesi i këtij dueli do të përballet me fituesin e çiftit Santa Clara (Portugali) – Larne (Irlanda e Veriut), ku portugezët kanë fituar 3-0 në ndeshjen e parë.
Shamrock Rovers është skuadra më e titulluar në historinë e futbollit irlandez. /Telegrafi/






















































