Juventusi ka luajtur baras me rezultat 1-1 në udhëtim ndaj Bolognas në kuadër të javës së 35-të në elitën e futbollit italian. 

‘Zonja e Vjetër’ kaloi në epërsi në minutën e nëntë të takimit, duke realizuar për 1-0 përmes Khephren Thuram i cili u asistua nga Andrea Cambiaso. 


Në minutën e 50-të mysafirët shënuan edhe një gol tjetër përmes Cambiasos, por VAR-i e anuloi atë për pozicion jashtë loje. 

Vendasit ia dolën të barazojnë shifrat në minutën e 54-të përmes Remo Freuler i cili me ndihmën e një devijimi mposhti Di Gregorion për 1-1. 

Juventusi pati një mundësi të artë të realizonte golin e dytë, por Alberto Costa në minutën e 76-të lëshoi një super rast për gol. 

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati ndonjë rast për t’u veçuar dhe të dy skuadrat u desh të pajtoheshin me nga një pikë. 

Pas këtij barazimi Juventusi ngjitet në pozitën e katërt në tabelë me 63 pikë të grumbulluara, ndërsa Bologna renditet e shtata me 62 sosh./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app