Blake Lively pritet të dëshmojë në gjyq përballë Justin Baldonit – përmendet edhe Taylor Swift

Avokati i Blake Lively, Mike Gottlieb, ka konfirmuar se aktorja do të dëshmojë në gjyqin që lidhet me akuzat për ngacmim seksual kundër Justin Baldonit, bashkë-yll i saj në filmin “It Ends With Us”.
Sipas tij, Lively është e gatshme të flasë nën betim dhe të tregojë versionin e saj të ngjarjeve në gjykatë.
Në lidhje me zërat se mund të thirren si dëshmitarë edhe emra të njohur si Taylor Swift apo Hugh Jackman, avokati theksoi se përfshirja e personazheve të famshëm pa lidhje konkrete me çështjen është e pajustifikuar dhe nuk tolerohet nga gjykatat federale, shkruan DailyMail.
Në anën tjetër, bashkëshorti i Lively-t, aktori Ryan Reynolds, është përmendur në kundërpadinë e Baldonit dhe mbetet e paqartë nëse do të dëshmojë.
Avokati i Baldonit, Bryan Freedman, e akuzoi Lively-n se ka përfshirë qëllimisht miqtë e saj të famshëm për të ushtruar presion ndaj Baldonit, duke përmendur mesazhe ku ajo i referohet Swift dhe Reynolds si "dragojtë" e saj që e mbrojnë.
Lively ka paditur zyrtarisht Baldonin për ngacmim seksual, fushatë shpifjesh dhe sjellje të papërshtatshme gjatë xhirimeve, ndërsa pala e Baldonit pretendon se aktorja ka shtrembëruar faktet dhe ka manipuluar publikun.
Procesi gjyqësor pritet të hedhë dritë mbi marrëdhëniet prapa kamerave në industrinë e filmit dhe ndikimin që fama mund të ketë në drejtësinë ligjore. /Telegrafi/






























































