LAJMI I FUNDIT:

Biznesi i prodhimit të krizave

Biznesi i prodhimit të krizave

Krizat në ditët e sotme janë mall. Prodhohen në mënyrë industriale, dhe shiten. Edhe blihen. Blihen nga politika, nga partitë dhe nga institucionet. Që nga shpallja e pavarësisë e këtej, në mungesë të një ideje të qartë për rrugën që duhej ndjekur dhe mjetet që duhej përdorur, është qeverisur përmes krizave. Armiku është kusht i domosdoshëm për funksionimin e një krize politike. Prandaj, një qeverisje përfundoi me prodhimin e armikut, dhe iku plot zhurmë duke i lëshuar karriget ku u ulën armiqtë e deridjeshëm.

Ajo që pritej, natyrshëm nuk po ndodhë. Armiku nuk po e ndjek opozitën, edhe pse tash i ka në dorë të njëjtat instrumente të qeverisjes.


Aq sa po shihet, kemi hyrë në një etapë tjetër. Qeveri(s)ja e re ende nuk i ka emëruar armiqtë e saj. Pa armiq modeli i moçëm nuk funksionon. Duhet urgjentisht të bëhet diçka, të ngjallet prodhimi vendor i armiqve, apo të merret diçka nga importi, ose në rastin më të keq diçka si kontrabandë nga veriu. Ose duhet të promovohet modeli i ri.

Mediat, të kthyera në arenë luftimesh me armikun e brendshëm dhe të jashtëm gjatë qeverisjes së deritashme, kanë mbetur të hutuara. Opozita, dikur e zhurmshme, sapo e votuar si qeveri, ka heshtur. Nuk po e shan askënd, e nuk po merret me të shkuarën. Është paraqitur sfida sociale dhe politike e funksionimit të shoqërisë dhe medias pa armik. Lufta për klikime dhe pëlqime është bërë e vështirë. Qysh me e përfshi qytetarin i cili jetonte me problemet e përgjithshme, duke i harruar të vetat. Kohë pas kohe, qytetari virtual, publiku anonim, ishte bërë pjesë e sistemit dhe e hidhte një gur mbi armikun e publikut. Këtë e konsideronte punë. Pastaj e dërgonte faturën te vendi. Kështu mbijetuan shumë që kishin lënë tokat djerrë dhe vendet e punës bosh. (Mbi)jetonin si mercenarë virtualë.

Qytetari X, personazhi ynë i sotëm, është argat në zanatin e prodhimit të krizave. Ai jeton në rrjet. Ai është nga një krahinë e njohur ndër ne, për të bërat e saj nëpër shekuj, bile edhe më larg se kaq, por për nevojat e këtij shkrimi mjaftojnë edhe shekujt. Ai jeton me ndihmë sociale, jo se nuk gjen edhe punë, por mendon se puna e krahut këtu nuk shpaguhet. Është pak a shumë edhe një lloj intelektuali modern, i cili është bërë i tillë që nga momenti kur e kuptoi se ka talent për të sharë dhe ofenduar, apo edhe vrarë virtualisht, dhe se kjo mjeshtri mund të konvertohej në valutë apo përfitime të ndryshme nga buxheti apo politika. Të sharat nuk janë origjinale, gati asnjëherë, ato ose i merr nga kafeneja më e afërt ose i përkthen nga faqet e humorit në gjuhë të ndryshme, dhe i stërshet për pëlqime. Tash endet nëpër profile i hutuar, dhe shet krahun me mëditje derisa të qartësohet modeli i ri i qeverisjes. Ai është i hutuar krejtësisht, edhe pse është krejt i sigurt se pa kriza nuk qeveriset.

Këtu vjen ai momenti kur realiteti ynë i hareshëm lidhet me mitin. E keni parasysh mitin e Poseidonit, mitin për perëndinë e detit te grekët antikë, i cili e kishte një fuqi, e kishte edhe një territor të cilin e kontrollonte, dhe me këtë pushtet që ia kishte dhënë Zeusi, bënte kërdi. E fuste sfurkun në ujin me krip dhe tundej oqeani. Po ta merrte inat Poseidoni, nuk ktheheshe dot në Itakë; kot digjej në vete Penelopa.

Pra, biznesi i krizave, pasi qeverisja ishte virtuale, zhvillohej në rrjet dhe në media. Fushatat dizajnoheshin nga strategët lokalë dhe të importuar të krizave. Kape një ide dhe bane krizë. Ne, ata dhe problemi. E si të zgjidhet një problem pa e krijuar? Qeveria e cila është zgjedhur për të zgjidhur probleme, çfarë të bëjë nëse nuk zgjidhë problemet reale? Mjafton të zgjidh probleme. Mjafton të hap debat për to në media dhe publiku domosdo do të ndahet për dhe kundër. Me ata apo me këta. E cilat probleme i menaxhon më lehtë? Ato që i ka krijuar vet. Pra, prodhimi, promovimi, shitja e krizave.

Por, në mungesë të një krize të re, të një armiku të ri, bosët e opinionit kanë mbetur po aq të hutuar sa mercenarët. Tërë ditën e lume rrinë me sfurk në dorë dhe e përziejnë… opinionin. Po e përziejnë në të thatë. Endin para publikut kandidatët e deklasuar nga vota e qytetarit. E paketojnë sërish të njëjtin mall dhe e qesin në shitje. Ata që deri dje digjnin vetura dhe krijonin kriza në rrugë, tash i nxjerrin në role komike apo të vlerësimit të demokracisë. Sfurk për të përzier detin nuk kanë, por versioni lokal flet për njeriun e intrigave i cili me gisht e përzien detin. Por, valët po pashiten, e jeta pa krizë nuk qenka e lehtë. Problemet e jetës reale po bëhen të dukshme. Duhet dëgjuar gruaja çfarë po thotë, në vend se me këqyrë çka ka shkruar ky apo ai humorist politik në profilin e vet.

Qeveria padrejtësisht po hesht. Nga heshtja ende vështirë mund të kapet modeli. Ndoshta po i shijon 100 ditët e para, përpara se të përballet me togën e pushkatimit virtual. Nëse nuk e ç’kapin shtetin, duhet të nisin biznesin e krizave. Qysh ka thënë i moçmi: ujku lyp krizë! Në fund të fundit, kush e di çfarë ka thënë saktë i moçmi!?